Në një koment të shkurtër sot, kryeministri Edi Rama u jep një përgjigje atyre që i quan “Kinse patriot”, duke i dhënë një përgjigje edhe pa i përmendur emrin, Berat Buzhalës.
“Ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiçfare Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër!”, shkruan Rama në profilin e tij në “Facebook”.
Por nuk mbetet me kaq. Ai i quan as më shumë e as më pak një “histeri fashiste” komentet mbi situatën.
“Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes!”, shkruan Rama.
Ditën e djeshme Ramën e kritikonte ashpër gazetari nga Kosova Berat Buzhala.
Buzhala i është kthyer ashpër kryeministrit Rama pasi ky i fundit dënoi ashpër ngjarjen e mbrëmshme në Korçë, ku gjatë paraqitjes së këngëtarit Goran Bregoviç u hodh gaz lotsjellës e pati thirrje kundër tij.
“Edi Rama nuk e ka as idene ma te vogel se cka po fole. Ky mendon qe kosovaret dhe serbet jane te njejte. Ky mendon qe edhe serbet edhe shqiptaret jane te barabarte, ne krime dhe ne vuajtje. Paramedojeni, e barazon Dua Lipen me Goran Bregovicin. Me Goranin qe ka kendu kunder bombardimeve te NATO’se, me Goranin qe e ka pase shok personal Radovan Karaxhicin. Ani kur po thojne, baben kroat, nanen serbe, bashkeshorten myslimane. O vorr, Kusturica eshte mysliman me babe e me nane, ama kujna i ka sherby. Nese Bregovici koka kroat po aq sa serb e mysliman, atehere pse nuk jetoji gjate lufterave ne Zagreb a Sarajeve, por ne Beograd?”, shkruate Buzhala në rrjetet sociale.