Vendosni fjalën kyçe....

Talibanët s’e pohojnë takimin me shefin e CIA-s, evakuimet të mbyllen brenda 31 gushtit: Afganët s’do lejohen të ikin


Zëdhënësi i talebanëve Zabiullah Mujahid tha në një konferencë shtypi të martën se ai nuk mund të pohojë raportet e një takimi mes grupit dhe drejtorit të CIA -s, por tha se ata po komunikojnë me të gjitha ambasadat e vendosura në Kabul.

I pyetur në lidhje me raportin e Washington Post për një takim midis drejtorit të CIA-s, William Burns dhe udhëheqësit de facto të talebanëve, Abdul Ghani Baradar, të hënën në mes të përpjekjeve të SHBA-së për të nxjerrë qytetarët amerikanë nga Afganistani, Mujahid tha se ata ‘nuk mund të pohojnë’ nëse një takim i tillë u zhvillua.

Ai tha, megjithatë, se talibanët janë ‘në komunikim me të gjitha ambasadat e pranishme në Kabul’ në një përpjekje për të ‘mbajtur marrëdhëniet diplomatike’ ndërsa përpiqen të formojnë një qeveri të re.

Ndërkohë ai theksoi se grupi militant nuk do të pranojë asnjë zgjatje për evakuimet e huaja pas afatit të 31 gushtit, duke shtuar se afganët nuk do lejohen të shkojnë në aeroportin e Kabulit.

Duke folur të martën, Mujahid këmbënguli se talebanët nuk u kanë dhënë dhe nuk do t’u japin qeverive të huaja një dritare të zgjatur për të evakuuar qytetarët e tyre nga Afganistani dhe tha se të gjitha riatdhesimet duhet të bëhen deri në fund të muajit. SHBA ka burimet dhe aeroplanët për të përfunduar misionin e riatdhesimit deri më 31 gusht, shtoi ai.

Ambasadat e huaja nuk duhet të mbyllin ose ndalin operacionet e tyre në Afganistan, vazhdoi ai, duke thënë se siguria e tyre është siguruar nga grupi.

Mujahid gjithashtu deklaroi se turmat afgane të mbledhura në aeroportin e Kabulit në kërkim të një rrugëdalje nga vendi do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre, me sigurinë e tyre të garantuar nga talibanët.