Socialisti Alfred Peza ka paraprirë sezonin e ri parlamentar duke shkruar mbi ato që ai i quan “mite të rreme” mbi ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë, propaganda opozitare e orkestruar nga “lideri historik”, nisi përpjekjet për ta zhbërë vendimin. Kur është në lojë e ardhmja e tij, Sali Berisha ka dëshmuar se nuk i pranon fajet edhe kur i bën live në TV, e jo më të pranojë akuzat në letër të SHBA. Në fund të fundit, mes SHBA e Sali Berishës, shqiptarët dihet se kë do besojnë. Megjithatë ai po punon çdo ditë për t’i krijuar idenë opinionit publik, se po i bien në qafë padrejtësisht. Ndaj po mohon gjithçka, duke dashur që ta mbulojnë të vërtetën e madhe që fshihet pas vendimit ekstrem, përmes miteve të rreme.”, mendon Peza.
Sipas socialistit mitet e rreme mund të trullosin përkohësisht disa militantë, ndërsa e vërteta zhytet por nuk mbytet.
Por për cilat “mite” e ka fjalën Peza? Ai i liston ato ndërsa nuk dihet nëse kryefjala e strategjisë së Ramës në parlament këtë sezon të ri parlamentar do të jetë shpallja nongrata e Berishës.
Liston “mitet” Peza”:
1- Miti: Shpallja “non grata” nuk është vendim i ngritur mbi prova, por mbi shpifjet e Antony Blinken, ndaj Sali Berishës. Deklarata se do ngrihet padi në Francë, jo kundër DASH por ndaj tij personalisht, e vërteton këtë. Realiteti: Kush ka dy pare mend në kokë e kupton se, SHBA nuk drejtohet nga njerëz që e përdorin postin e Sekretarit të Shtetit, për inate personale por për të bërë politikën e saj të jashtme?
2- Miti: Nuk ka asnjë dëshmi, provë dhe dokument që të vërtetojë akuzën për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”, ndaj Sali Berishës. Realiteti: Sigurisht që SHBA i ka provat, mjafton të kujtojmë se edhe Adriatik Llalla, kështu u mbrojt para tij. Por provat më pas dolën dhe sot ai është dënuar nga gjykatat shqiptare me 2 vite burg dhe me sekuestrim pronash të vendosura në mënyrë të paligjshme.
3- Miti: Prapa vendimin të SHBA, kundër Sali Berishës, qëndron dora e miliarderit filantrop George Soros. Realiteti: Kjo është qasje tipike liderësh që shpikin një armik të jashtëm, për të ikur përgjegjësive e tyre personale, para opinionit publik. Viktor Orban në Hungari dhe Bojko Borisov në Bullagari e kanë akuzuar Sorosin gjithashtu. Sikundër emri i Bill Gates po përdoret nga konspiracionistët e pandemisë.
4- Miti: Sali Berisha është miku më i madh i SHBA dhe udhëheqësve të saj në 30 vitet e post komunizmit në Shqipëri. Realiteti: Marrëdhëniet zyrtare mes SHBA dhe Shqipërisë, po kërkohet që të shiten si meritë ekskluzive e një lideri, tani që atë e ka zënë halli më i madh personal. Nëse Sali Berisha qënkërka vërtetë një proamerikan kaq i madh, pse duhet ta vendosi sot në pikëpyetje, drejtësinë e vendimit kundër tij?!
5- Miti: Vendimi i SHBA është i bazuar mbi shkrime gazetash e portalesh dhe nga raporte të rreme që Edi Rama i ka mbushur me shpifje kundër Sali Berishës. Realiteti: SHBA jo e jo por as shteti më pak serioz i botës, nuk mund të marë vendime zyrtare kundër një lideri politik të huaj, bazuar vetëm në burime të tilla. Të fyesh Amerikën është një gjë, por të fyesh edhe inteligjencën e shqiptarëve, kjo është seç është!
6- Miti: Ambasadorja e SHBA Yuri Kim sikundër edhe të tjerët para saj, bëjnë politikë personale në Tiranë të ndikuar nga Edi Rama, për të mbrojtur stabilokracinë në kurriz të demokracisë. Realiteti: Çdo qëndrim i kujtdo kryediplomati, përfaqëson linjën zyrtare të DASH dhe pasqyron politikën e jashtme të SHBA. Sali Berisha nuk është vetë demokracia, por sipas vendimit të DASH, ai është “minuesi i saj”.
7- Miti: SHBA do dështojë në Shqipëri, ashtu siç dështuan edhe në Afganistan. Realiteti: Afganistani u pushtua pas 11 shtatorit 2001, sepse lideri i “Al Kaeda” Osama Bin Laden që ishte truri i sulmeve terroriste kundër SHBA, fshihej atje nga talebanët. Të barazosh Shqipërinë me Afganistanin, duke dashur të thuash se SHBA do dështojë para Sali Berishës, është si të barazosh opozitarët tanë me talebanët!
8- Miti: Sali Berisha nuk largohet nga PD dhe grupi i saj parlamentar, pas shpalljes “non grata”, sepse do bëjë betejë personale për të mbrojtur dinjitetin. Realiteti: E para, betejat personale nuk bëhen brenda bunkerit të partisë, por jashtë saj. E dyta, përse PD nuk i bën kërkesë KQZ që të mos i japi mandatin Sali Berishës, siç kërkoi për Tom Doshin? E treta, politika është akt dhe ai e mbron dinjitetin, jo e kundërta!
9- Miti: SHBA gaboi me shpalljen “non grata”, sepse Sali Berisha është një pensionist politik. Realiteti: Sali Berisha deklaroi se nuk largohet nga Grupi Parlamentar në shtator, pas takimit që Kryetari i PD zhvilloi me Ambasadoren e SHBA Yuri Kim, në SHQUP. As Lulzim Basha nuk kishte folur dhe as forumet drejtuese të PD nuk ishin mbledhur. Kjo tregon se kush i mer realisht vendimet në Partinë Demokratike.
10- Miti: Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA, sepse ishte kundër projektit për ndarjen e Kosovës. Realiteti: Kush është ai shqiptar që e beson, se SHBA që luftoi kundër Serbisë duke krijuar më 1999 dy shtete shqiptare në Ballkan, tani paskan një plan të fshehtë për t’i ndryshuar kufijtë që ia caktuan vetë Kosovës? Madje, meqenëse Sali Berisha i paska ndaluar për ta realizuar, ata e futën në listën e zezë?!