Vendosni fjalën kyçe....

DASH: Nuk kemi mundësi të ofrojmë informacione për transportin e afganëve në Shqipëri


Lidhur me ardhjen e refugjatëve afganë në Shqipëri, Departamenti Amerikan i Shtetit iu përgjigj “Deutsche Welle”-s duke thënë se nuk mund të ofrojë informacione për shkak të natyrës së komplikuar të zhvendosjeve.

“…për shkak të natyrës së komplikuar të këtyre zhvendosjeve dhe për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e personave që vijnë, nuk kemi mundësi të ofrojmë informacione të tjera për kohën e mbërritjes, transportin, vendndodhjen lokale dhe destinacionin e mëtejshëm.”, bëri me dije DASH-i.

Prej ditësh po pritet mbërritja e refugjatëve afganë në Shqipëri, duke dalë herë pas here lajme se do të mbërrijnë në data të caktuara, gjë që deri më tani nuk ka rezultuar e vërtetë.

Situata në Kabul është delikate pasi talebanët kanë vendosur ultimatumin për amerikanët dhe europianët që të kryejnë zhvendosjet deri më datë 31 gusht, në të kundërt pas kësaj date nuk do lejohet asnjë dalje nga Afganistani.

“Washington Post” shkruante dje se kreu i CIA-s William Burns pati një takim sekret në Kabul me kreun e talebanëve.