Vendosni fjalën kyçe....

Rama citon Kanunin e Lekë Dukagjinit, thotë nëse afganët duan të qëndrojnë përgjithmonë, janë të mirëpritur


Kryeministri Rama citoi Kanunin mbrëmjen e sotme për të treguar arsyen pse Shqipëria do mirëpresë afganët që po largohen nga vendi i tyre.

Gjatë një interviste për CNN, ai tha se shtëpia e shqiptarit i përket Zotit e mikut duke shtuar se Shqipëria është e gatshme t’i lejojë të qëndrojnë shtetasit afganë nëse ata do duan ta bëjnë këtë.

“Ne dolëm të parët për të pritur njerëzit që punuan me ne. Tani për tani po flasim për 2 mijë të listuar e 2 mijë të tjerë për të cilët po punojmë për t’i mirëpritur, do jenë rreth 4 mijë. Shqipëria është një vend ku Kanuni, Kushtetuta e parë në paragrafin e parë kishte të shkruar: Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit e mikut. Nëse duan të qëndrojnë janë të mirëpritur të qëndrojnë.” – tha kryeministri Rama në intervistënpër CNN.

Më herët ai theksoi se vendimi për pranimin e shtetasve afganë u mor pasi kjo është vlera që kanë shqiptarët e jo thjesht për detyrimin si vend i NATO-s.

Kryeministri përmendi historinë e hebrejve të strehuar në vend gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa u bëri thirrje vendeve të NATO-s që të ndjekin shembullin e Shqipërisë në strehimin e afganëve.

“Po e bëjmë këtë për atë që jemi po edhe me të qenit anëtar i NATO-s. Kjo është historia jonë, jemi i vetmi vend që në fund të Luftës së Dytë Botërore kishim më shumë hebrej se në fillim të saj. Pritjen e afganëve ua kemi borxh fëmijëve tanë, ata duhet ta kalojnë këtë përvojë e ta dinë se ka një kohë kur merr e kur jep. Duhet të presim afganët që na ndihmuan dhe besuan te të njëjtat vlera si ne. Unë e kam përjetuar luftën, ne kemi parë njerëz të vdesin, kemi parë 500 mijë refugjatë lufte që erdhën nga Kosova në Shqipëri. Kemi qenë në situatë edhe më të vështirë se sot por pritja e tyre nuk na zhduku, nuk na vdiq urie por na bëri më të pasur moralisht.” – tha Rama.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani