Pesë persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë të ndodhur në rrugën Gjirokastër-Sarandë.
Një furgon me të cilin udhëtonin 25 persona është rrëzuar poshtë Qafës së Muzinës duke rënë 20 metra në greminë.
Identiteti i viktimave nuk dihet ende ndërsa dyshohet se në furgonin e rrëzuar kishte edhe fëmijë. Viktimat e të lënduarit janë ende brenda mjetit e po punohet për nxjerrjen e tyre.
Forcat zjarrfikëse, policia e qytetarë të shumtë kanë shkuar në vendin e ngjarjes për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarve.
Në vendin e aksidentit kanë shkuar edhe tre ambulanca të cilat pritet të dërgojnë në spital të lënduarit. Shkaqet e aksidentit nuk dihen ende por dyshohet se shoferi ka humbur drejtimin e mjetit për shkak të shpejtësisë e terrenit të lagësht.
Terreni tejet i thyer po vështirëson nxjerrjen nga furgoni të të lënduarve e dërgimin e tyre në spital.
*Video Credit: Shqiptarja