Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti me 5 viktima në Qafën e Muzinës, Meta thirrje policisë: Merrni çdo masë për parandalimin e aksidenteve kaq të rënda


Presidenti Meta ka nxitur policinë që të ndërmarrë çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve të rënda.

Reagimi i kreut të shtetit vjen pas aksidentit tragjik me pesë viktima të pasdites së sotme në Qafën e Muzinës ku pas përplasjes së një fuoristradë me një furgon, ky i fundit doli nga rruga duke rënë në greminë.

Po kështu Meta u bën thirrje qytetarëve që të udhëtojnë në mënyrë të kujdesshme e t përgjegjshme për të shmangur ngjarje të rënda në rrugët e vendit.

“Thellësisht i pikëlluar për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë.  Ndaj dhembjen e thellë dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe të gjithë solidaritetin familjarëve të tyre! Të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë dhe i përgëzoj autoritetet shëndetësore për kujdesin dhe ndihmën që po u japin në këto momente të vështira!  Një apel të fortë u bëj të gjithë qytetarëve për të udhëtuar me shumë kujdes dhe dëshmuar përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve, në mënyrë që të tilla tragjedi tronditëse të shmangen në të ardhmen. E nxis Policinë Rrugore dhe çdo strukturë tjetër përgjegjëse, që në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik, të marrin çdo masë efektive për parandalimin e aksidenteve kaq të rënda, që fatkeqësisht po bëhen kaq të shpeshta në rrugët e Shqipërisë.” – shkruan Meta.