Nga Anila Hoxha
Nesër në orën 11 përpara Gjykatës së Vlorës del për t’u njohur me akuzën e vrasjes me paramendim vrasësi i Xhuljan Bullarit, një i ri që dy vitet e fundit të jetës i kaloi midis burgut, endrrës e planeve për t’u larguar në Gjermani dhe papunësisë. Ishte 25 vjeç dhe mbremja e fundit e jetës së tij kalon shkurtimisht si një film bardh e zi, treguar nga kamerat e sigurisë tanimë të sekuestruara si prova.
I riu e mori vrasësin e tij si pasagjer pranë një parkimi afër Drejtorisë së Policisë Tiranë, së bashku me të shfaqet teksa po udhëton me mjetin “Fiat Punto” drejt vdekjes, me vdekjen në makinë edhe në kamerat e qytetit të Lushnjes, kapërcen rotondon e Vlorës, hyn në muzg rreth orës 19.54 me drejtim Transballkaniken. Më pas 1 orë me vonë ai shfaqet kur kalon pranë një pike karburanti në Qafe Babicë, sa afër vdekjes që është, por ai nuk e di. Ai po shkon drejt vendit të quajtur Lapidari, ku pasagjeri që ai duhet ta kishte mik burgu do ta qëllojë me dy plumba me një pistoletë të llojit “Tangofolio Giuseppe SRL Gardone Italy”, e groposur më pas në shtëpinë e tij.
I dyshuari si vrasës i 25-vjeçarit është Bledar Selmanaj, një 39-vjeçar që u njoh dhe jetoi në të njëjtën qeli me viktimën dhe madje dhe u miqësuan së bashku. Viktima e kishte lënë burgun më herët, ndërsa vrasësi i tij u lirua në datën 5 korrik 2021. Të dy së bashku u ritakuan jashtë burgut dhe sipas rrëfimit të vrasësit ata hynë në tregti droge, një ngarkesë për të cilën i dyshuari si vrasës ndërhyri tek ca miq të tij për t’ua shitur ca miqve të viktimës. Por nëse dëshmia e tij është apo jo e vërtetë do të duhet shumë punë dhe prova, veç qelizave dhe kamerave të sigurisë, mes tyre edhe konfirmimi nëse arma e varrosur në lagjen “15 tetori” është e njëjta nga u kryen qitjet vdekjeprurese.
Por Selmanaj që dyshohet se mund ta ketë kryer krimin edhe nën efektin e drogës apo për të vjedhur, çapitet në dëshminë e tij mes frazave që shprehin dramat që ndodhin me rininë tonë. Ai thotë se negocioi për shitjen e 100 kilogramëve hashash të presuar që u shkëmbye në Elbasan. Ai thotë se miqtë e viktimës i paguan miqtë e tij me para false. Ai thote se i kërkoi 3 mijë euro shokut të burgut. Ai thotë se sherri i drogës është vdekjeprurës. Pastaj ai thote se nuk e vrau ai.
Por një telefon që ai e la në banesë menjëherë mbas arratisjes referuar analizes së antenave thotë të kundërtën, janë loguar në të njëjtat antena. Derisa të dalin përgjigjet e laboratorit të kriminalistikës nëse është apo jo ai vrasësi, mbetet i akuzuari kryesor dhe droga mbetet pista kryesore.
E njëjta drogë që dërgon pa asnjë dallim në qeli të shoqëruar e të ndaluar dhjetra të rinj e të mitur me statusin përdorues. Në Tiranë një plagë e re sociale vazhdon e hapur dhe padyshim nuk bëjnë dallim edhe qytetet e tjera. Jo vetëm fëmijë që rrahin prindërit dhe kërkojnë 5 mijë lekë të reja për një cigare hashashi, por fëmijë gjyqtarësh, prokurorësh, ish-shefash policie, shefash, mjekësh e biznesmenësh kapen rastësisht me dozat e drogës që mbillet. Çështjet mos fillohen mbasi ata konsiderohen përdorues. Parcelat në mal gjelberojnë mes bindjes se ato tonelata dërgohen drejt një vendi tjetër që nuk është Shqipëria.
Rast pas rasti monitorimi i Qendres FOL tregoi se nga 1 nëntori 2020, vetëm në kryeqytet u shoqëruan mbasi u konstatuan me drogë 640 të rinj dhe adoleshentë apo të mitur. Prej tyre 191 u arrestuan. A nuk duhet të shqetesohemi për rininë dhe të ardhmen tonë?