Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim jashtë aeroportit të Kabulit mes operacionit të evakuimeve


Shpërthim i fuqishëm ka ndodhur jashtë aeroportit ndërkombëtar të Kabulit ndërsa vijojnë evakuimet nëpërmjet tij.

Shpërthimi është pohuar edhe nga Sekretari i Shtypit i Pentagonit, John Kirby. Kirby shkroi në Twitter të enjten se nuk ka ende shumë hollësi mbi shpërthimin.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë që raportet fillestare tregojnë se shpërthimi ka ardhur nga një kamikaz jashtë aeroportit.

Pamjet nga zona kanë treguar afganë të përgjakur që nxitojnë të transportojnë bashkëqytetarët e tyre në karroca.

Raportet fillestare të mediave sugjerojnë se të paktën 10 persona janë vrarë. Reuters citoi një zyrtar amerikan pa emër i cili pretendoi se deri në tre trupa amerikane mund të jenë plagosur gjithashtu.

Konfirmimi i shpërthimit vjen pasi zyrtarët paralajmërojnë se aeroporti mund të jetë një objektiv i mundshëm për sulme të ngjashme teksa dhjetëra mijëra afganë kanë udhëtuar në përpjekje për të kapur një fluturim evakuimi.

Presidenti amerikan Biden kishte deklaruar më herët se në Afganistan vepron grupi ISIS-K, një grup që ka lidhje me ISIS-in dhe që është armik i përbetuar i talibanëve dhe se trupat amerikane, qytertarët amerikanë dhe shtetasit afganë rrezikohen nga sulme të mundshme nga grupi në fjalë.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani