Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj takon Kurtin në Prishtinë, karshillëk ndaj Ramës apo emisar i këtij të fundit


Teksa marrëdhëniet mes kryeministrit Rama e atij të Kosovës nuk janë në ditë e tyre më të mirë pas ‘përplasjeve’ në largësi lidhur me projektin Ballkani i Hapur (Open Balkan), kryebashkiaku i Tiranës ka zbarkuar në Prishtinë.

Ai është takuar me Kurtin siç e njofton vetë në fotografitë e postuara në faqen e tij në Facebook. Veliaj i shoqëron fotot më një koment mjaft të shkurtër ku shkruan se ‘vitin tjetër Tirana ka mundësinë fantastike për të qenë European Youth Capital 2022, ndaj i shpreha Z. Kurti vullnetin që kjo mundësi të mos mbetet vetëm e Tiranës, por edhe e të rinjve të Kosovës’.

Vizita e Veliajt në Kosovë duket krejt e pazakontë e në periudhë pushimesh.

Në komunikatën zyrtare të zyrës së Kurtit thuhet shkurtimisht se në takim është diskutuar mbi pandeminë, ndikimin e saj në ekonomi si dhe për ngjarjet kulturore që do mbahen në Tiranë e Prishtinë vitin që vjen.

Prej disa javësh, Rama e Kurti kanë shkuar në drejtime të ndryshme lidhur me nismën e Ballkanit të Hapur.

Ndërsa kreu i qeverisë së Tiranës zyrtare i mëshon me forcë realizimit të këtij projekti, që sipas tij do ndihmojë në zhvillimin ekonomik kombëtar e rajonal mes vendeve të Ballkanit perëndimor duke dhënë një dorë në integrimin e tyre në BE, i një tjetër mendimi është Kurti.

Ai është shprehur se Shqipëria e Kosova, para se të jenë pjesë e nismave të kësaj natyre, duhet pikë së pari të forcojnë bashkëpunimin ekonomik e politik me njëra-tjetrën e pas fuqizimit, mund të hapen e përfshihen në projekte të tilla.

Po kështu ai ka theksuar se nga ky projekt fiton më së shumti Serbia. Tani për tani, pjesë e nismës ‘Ballkani i Hapur’ janë Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Duke pasur parasysh ‘fërkimet’ Rama-Kurti e vizitën ‘e pazakontë’ të Veliajt në Prishtinë, pyetja që ngrihet është nëse Veliaj po i bën karshillëk kreut të qeverisë së Shqipërisë apo është emisari i tij në Prishtinë.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani

Komunikata zyrtare e zyrës së Kurtit për takimin me Veliajn