Vendosni fjalën kyçe....

Basha shpall nismën e re: Platforma qytetare për demokracinë do shpëtojë vendin nga sundimi i pakicës që drejtohet nga Rama


Pas një mungese të gjatë kreu i PD-së është shfaqur mbrëmjen e sotme me një status në Facebook.

Teksa ka postuar titullin e një raport të Transparency International sipas të cilit Shqiëpëria është shtet i kapur nga korrupsioni, Basha shkruan se beteja e PD-së e shoqërisë shqiptare s’është kundër PS-së po kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin e po e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish.

Kryedemokrati ironizoi fjalimin e mbrëmjes së sotme të kryeministrit drejtuar socialistëve duke theksuar se askush nuk gënjehet më me fjalët e tij.

Në fund Basha shkruan se përballë kësaj gjendjeje qytetarët kanë detyrën të bashkohen e të punojnë për kthimin e demokracisë duke shpallur një nismë të re të emërtuar ‘Platforma qytetare për demokracinë’.

“Beteja jonë dhe e shoqërisë shqiptare nuk është kundër Partisë Socialiste, por kundër pakicës së korruptuar që ka kapur shtetin dhe e plaçkit atë me një grusht të vogël njerëzish, me të cilët masakron zgjedhjet, kriminalizon politikën dhe shkatërron ekonominë. Shqiptarët i’a dinë dështimet, raportet ndërkombëtare i’a kanë ekspozuar babëzinë, askush nuk gënjehet nga ripërtypja e fjalimeve të vjetra të atij që ka varfëruar familjet shqiptare dhe ka degdisur gjysmë milioni shqiptarë. Përballë këtij regjimi, kemi detyrën qytetare të bashkohemi dhe të punojmë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Platforma qytetare për demokracinë do të bëjë bashkë të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë që e duan ndryshimin dhe janë të vendosura të shpëtojnë vendin nga sundimi i një pakice që mban peng të ardhmen e tij.” – shkruan Basha.