Vendosni fjalën kyçe....

Bozo pas largimit të Çomos:  S’kam ndërmend të dorëhiqem hëpërhë, të filloj njëherë punë pastaj shohim


Deputetja e zgjedhur e PS-së, Luletja Bozo, ka thënë sot se nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen.

Kryesuesja e listës së PS-së për Tiranën në zgjedhjet  e 25 prillit 2021 e bëri deklaratën për Panorama duke theksuar se njerëzve u pëlqejnë shumë thashethemet dhe se nuk hë për hë nuk mendon të largohet nga politika.

“Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen nga mandati i deputetit. Njerëzit kanë shumë dëshirë të merren me thashetheme, mua më shtruan në Sanatorium, më bënë me COVID19, sikur isha duke vdekur etj. Unë shyqyr që nuk kam ‘Facebook’ dhe nuk i marr vesh këto lajme dhe i marr vesh më vonë nga njerëzit dhe shqetësohem më pak. Por, kush nuk ka punë do merret me llafe. Por meqenëse më pyetët nëse do të jap dorëheqjen, po ju them se unë nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen hë për hë. Unë nuk kam filluar punën ende, si mund të jap dorëheqjen?! Të filloj njëherë punën dhe pastaj shohim”, tha Bozo.

E pyetur mbi dorëheqjen e Najada Çomos, që gjithashtu u zgjodh deputete në zgjedhjet e 25 prillit, Bozo nuk pranoi të komentonte duke thënë se bëhej fjalë për një vendim personal.

“Nuk e di, unë dje e mora vesh kur dëgjoja Kryeministrin në “News 24” te fliste në mbledhjen e qeverisë, por unë mendoj se dorëheqja është një vendim personal i gjithkujt. Duhet pyetur i zoti i punës, zonja Çomo për këtë vendim”, shtoi Bozo.