Vendosni fjalën kyçe....

Eksplozivi në makinën e Elton Debreshit, sindikata e minatorëve: Tritoli s’na ndal dot, nuk do heshtim


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka reaguar pas shpërthimit të mjetit të kreut të kësaj sindikate Elton Debreshi.

Ajo deklaron që prej themelimit të kësaj sindikate, ndaj tyre ka pasur përndjekje e kërcënime ndërsa sot është mbërritur te tritoli.

Ata theksojnë se nuk do ndalen në misionin për të thënë të vërtetën e për të mbrojtur të drejtat e minatorëve pavarësisht kërcënimeve nga mafiozët, oligarkët e qeveritarët.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Bulqizë ku një sasi eksplozivi shpërtheu mjetin e Debreshit. Kreu i sindikatës mori pjesë si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Qarkun e Dibrës.

“Tritoli nuk mund ta ndalë përpjekjen tonë. Sot në orët e para të mëngjesit ka shpërthyer makina e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshit. Që prej themelimit të sindikatës sonë, ndaj Eltonit dhe shokëve të tjerë ka pasur shpesh përndjekje e kërcënime. Sot arritën te tritoli. Mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që na marrin kromin duan të na marrin edhe jetën nëse themi të vërtetën dhe mbrojmë të drejtat tona. Po ne nuk heshtim. Ne nuk ndalemi.” – thuhet në reagimin e sindikatës.

Policia e Bulqizës ka dhënë një njoftim të shkurtër për shpërthimin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm duke bërë me dije se ka shoqëruar disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për njarjen.

Njoftimi

“Bulqizë/ informacion paraprak

Rreth orës 01.00, datë 27.08.2021, në pjesën e përparme të automjetit  të shtetasit E. D., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Dibër po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, dhe kapjen e autorëve.”