Kryeministri Rama mblodhi mbrëmjen e sotme ish-deputetë e deputetë socialistë. Gjatë fjalës para tyre në Pallatin e Brigadave kreu i qeverisë tha se dora e bashkëpunimit pa kushte me PD-në është e hapur pavarësisht sjelljes së rivalëve.
“Mandati i tretë s’duhet tu ngjajë dy të parëve, as në sallën e kuvendit, opozita mund të bëjë ç’të dojë, ne do bëjmë çfarë duhet. Të shtyjmë përpara reformat e ligjet që nevojiten në funksion të qytetarëve.
Dora e bashkëpunimiet pa kushte me PD, pavarësisht nga sjellja, retorika apo veprimet e rivalëve. Medoemos të ndryshojmë në këtë drejtim, sado ata ti bien fyellit në vrimën që u është bërë gropa. Kanë rënë 5 herë me këmbët e tyre në atë gropë.” – tha Rama.
Teksa u përpoq të nxiste një sens autokritik lidhur me qeverisjen e PS-së në mandatin e dytë ai paralajmëroi deputetët e rinj lidhur me ndërhyrjet apo ndikime në tendera apo mbajtjen në punë të njerëzve të paaftë. Sipas Ramës, ata që do e bëjnë këtë do konsiderohen armiqësor me qëllimet e shqiptarëve që votuan PS-në.
Vërtetë kemi marrë një notë kaluese në zgjedhjet e 25 prillit si asnjëherë më parë, por sa më mirë akoma mund të kishim qeverisur? Sa ka peshuar në zgjedhjen e tyre mungesën e alternativës ndaj nesh? Sa e kanë ndikuar rezultatin tonë padrejtësitë, rryshfetet dhe qokat e administratës? Sa ka arritur të pastrohet PS nga drejtorë, shefa dhe zyrtarë të korruptuar që janë kosto morale dhe politike për ne dhe si do të shpëtojë nga kjo specie kjo parti? Çdo gjë nis nga vetja, si individ duke kërkuar brenda vets se çfare do të kishim bërë më mirë, çfarë nuk shkoi siç duhej. Deputetët duhet të jenë të gatshëm të heqin dorë nga lojërat e dëmshme që të luftojmë nepotizmin dhe klientelizmin. Ndërhyrjet për të mbajtur në punë individë të paaftë, për të sistemuar në vende pune njerëz që nuk e meritojnë apo ndikime për në procese tenderash janë armiqësore me qëllimet e atyre që na dhanë besimin për të drejtuar vendin. Duhet ta ngulni mirë në kokë se ndërhyrjet për të ndikuar në procese tenderash e vendimmarrje, janë armiqësore me qëllimet e atyre që na dhanë besimin për të drejtuar vendin. Janë të papajtueshme, janë të neveritshme, janë tradhtia më e madhe.” – theksoi Rama para socialistëve.