Vendosni fjalën kyçe....

SHÇBA-ja arreston oficerin e FNSH-së, dyshohet se plagosi babë e bir në Tiranë


Një efektiv i Focave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) është arrestuar në Tiranë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme e Ankesat (SHÇBA).

Efektivi 50-vjeçar me iniciale dyshohet për ‘plagosje të rëndë me dashje’.

Ai është kallëzuar nga dy shtetas me iniciale A.Ll. e R.Ll., babë e bir për një ngjarje të ndodhur ditën e djeshme.

Sipas dy personave në fjalë, ai i ka kërcënuar ata duke i frikësuar me uniformën e shërbimit dhe ka plagosur babë e bir, 53 e 15 vjeç, ky i fundit i mitur.

Njoftimi

Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë ka arrestuar sot në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor S.H., 50 vjeç, me detyrë Trupë Operacionale në Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/1 i Kodit Penal.

Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetasve A.LL. dhe R.LL., si dhe të dhënave dhe fakteve të administruara nga kryerja e hetimeve paraprake.

Konkretisht, në orët e vona të mbrëmjes së datës 26.08.2021, punonjësi i policisë S.H. (jashtë detyre) është përfshirë në një konflikt fizik me kallëzuesit dhe si pasojë e veprimeve të dhunshme, për shkak të intimidimit me anë të uniformës së Policisë, ai i ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme shtetasit A.LL., 53 vjeç, si dhe frakturë në krah, shtetasit R.LL., 15 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për hetime të mëtejshme.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.