Vendosni fjalën kyçe....

Eksploziv makinës së Elton Debreshit, arrestohet vëllai


Arrestohet për eksplozivin vendosur ditën e djeshme minatorit Elton Debreshi që kandidoi për zgjedhjet e 25 prillit vëllai i tij: A.Debreshi. Nuk dihet ende shkaku.

“Specialistët bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, dhe si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi: A. D., 29 vjeç, banues në Bulqizë, pasi ky shtetas dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës plasëse në automjetin tip ‘Mercedez Benz’, në pronësi të vëllait të tij shtetasit E. D.”, njofton sot policia.

“Rreth orës 01.00, datë 27.08.2021, në pjesën e përparme të automjetit të shtetasit E. D., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.”, njoftonte dje policia.

Debreshi, edhe pse nuk e fitoi mandatin e deputetit ka vazhduar të kritikojë kushtet e vështira në miniera, duke folur edhe për zaptimin e padrejtë të pasurisë kombëtare.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka reaguar pas ngjarjes së rëndë. Ajo deklaron që prej themelimit të kësaj sindikate, ndaj tyre ka pasur përndjekje e kërcënime ndërsa sot është mbërritur te tritoli.

Ata theksojnë se nuk do ndalen në misionin për të thënë të vërtetën e për të mbrojtur të drejtat e minatorëve pavarësisht kërcënimeve nga mafiozët, oligarkët e qeveritarët.

“Tritoli nuk mund ta ndalë përpjekjen tonë. Sot në orët e para të mëngjesit ka shpërthyer makina e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshit. Që prej themelimit të sindikatës sonë, ndaj Eltonit dhe shokëve të tjerë ka pasur shpesh përndjekje e kërcënime. Sot arritën te tritoli. Mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që na marrin kromin duan të na marrin edhe jetën nëse themi të vërtetën dhe mbrojmë të drejtat tona. Po ne nuk heshtim. Ne nuk ndalemi.” – thuhej në reagimin e sindikatës.