Vendosni fjalën kyçe....

“Jemi shumë mirë këtu, do rrimë ca kohë e do ikim në vende të tjera” – Afganët e strehuar në Qytetin Studenti (Video)


Pas mbërritjes rreth mesnatës, 154 shtetasit afganë janë dërguar në Qytetin Studenti ku janë strehuar në disa godina.

Ata janë parë ditën e sotme duke shëtitur në rrugët e qytezës e shoqërohen nga punonjës socialë.

Një prej afganëve, që ka punuar më herët në vendin e tij si zyrtar i qeverisë thotë se ndihet i lumtur për ardhjen në Shqipëri, duke shtuar se vendi nuk është destinacioni përfundimtar.

“Jemi shumë rehat. Ne arritëm natën e kaluar, jam i lumtur. Ky nuk është destinacioni final, por ne do të qëndrojmë përkohësisht këtu. Unë punoja në qeveri, isha zyrtar shteti. Situata në Afganistan është jo e mirë.” – thotë shtetasi afgan, shkruan Ora News.

Një tjetër shtetas afgan, i cili ka punuar si gazetar, e përshkruan si aspak të mirë gjendjen në Afganistan e pohon se shumë shpejt ata do largohen në vende të tjera.

“Emri im është Nagji Vasil. Unë jam nga Afganistani. Këtu është shumë mirë. Fatkeqësisht atje është shumë keq. Unë punoja si gazetar. E njëjta punë si ju. Kjo është dita ime e parë për mua dhe koleget e mi. Do qëndrojmë për pak ditë, më pas do shkojmë në vende të tjera.”

Pranë godinave në Qytetin Studenti ku janë strehuar afganët, ka forca të shumta policie, ambulanca e shërbime shëndetësore.

*Video Credit: Ora News