Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Shëndetësia falas mashtrimi më i madh i Ramës, paguajmë 34 herë më shumë për shëndetin se mesatarja e BE-së


Deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi, ka thënë sot se shëndetësia falas është mashtrimi më i madh i kryeministrit Rama.

Ajo thekson se qytetarët shqiptarë paguajnë 34 herë më shumë për shëndetin se mesatarja e BE-së. Vokshi citon një raport të Eurostat, sipas të cilit, shpenzimet për shëndetin u kushtojnë shqiptarëve 34 herë më shumë se mesatarja e BE-së.

“Shëndetësia falas mashtrimi më i madh i Edi Ramës! Eurostat: Shqiptarët paguajnë 34 herë më shumë për shëndetin se mesatarja e Bashkimit Europian. Ndërsa kreu i pakicës me vota të vjedhura i thur lavde dështimeve të tij, e vërteta e hidhur shpaloset përditë në jetën e çdo shqiptari. Sidomos në ato fusha ku propaganda e zhurmshme përpiqet të përmbysë realitetin. Të dhënat e fundit të EUROSTAT tregojnë se në raport me fuqinë blerëse, shpenzimet për shëndetin u kushtojnë shqiptarëve 34 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Pra vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë, ka kostot më të larta për kujdesin për shëndetin. A mund të jetë ‘shëndetësia falas’ më e shtrenjta në Europë? Patjetër që jo! Shqiptarët e provuan në xhepat e tyre dështimin e reformës të trumbetuar me forcë për kaq vite, që në të vërtetë nuk ishte gjë tjetër veçse një pretekst për të plaçkitur shqiptarët me PPP-të korruptive.” – shkruan Vokshi në Facebook.

Ajo shton se koston e kësaj e kanë paguar më shumë qytetarët në kohë pandemie për shkak të jetëve të humbura si pasojë e një sistemi shëndetësor të drobitur nga PPP.

Vokshi thekson se kjo është arsyeja pse Rama i masakron zgjedhjet në bashkëpunim me krimin e organizuar e klientët e tij. Deputetja e zgjedhur e mbyll deklaratën duke thënë se PD-ja është e vendosur në luftën e saj për kthimin e demokracisë.

“Koston e kësaj qytetarët e ndjenë edhe më shumë në kohë pandemie, ku dështimi u bë edhe më tragjik prej jetëve të humbura në raport me popullsinë për shkak të një sistemi shëndetësor të drobitur nga PPP-të, ndërkaq familjet shqiptare të braktisura në fatin e tyre, u detyruan të përballen me virusin duke hyrë në borxhe apo me kursimet e pakta. Ky bilanc i zi është edhe arsyeja pse Edi Rama nuk lejon zgjedhje të lira, është arsyeja pse i masakron ato në bashkëpunim me klientët e tij dhe krimin e organizuar, sepse ai nuk e fiton dot kurrë besimin e qytetarëve që e kanë ndjerë dhe e ndjejnë në jetën e tyre të përditshme, peshën e tmerrshme të keqqeverisjes së tij të korruptuar. Partia Demokratike, bashkë me shumicën e shqiptarëve që kërkojnë me forcë ndryshimin që u është mohuar me dhunë në 25 prill, është e vendosur në luftën e saj për kthimin e demokracisë, si parakusht për të pasur një qeveri që punon në interes të familjeve shqiptare dhe jo të një pakice.” – mbyll reagimin Vokshi.