Nga Erion Dasho
Brenda pak javëve Izraeli u kthye nga vendi model, me zero vdekje nga COVID-i dhe me një jetë plotësisht normale, në një prej vendeve me numrin më të lartë të rasteve për banorë në botë. Kjo megjithëse mbi 78% e popullsisë me moshë mbi 12 vjeç ishte vaksinuar plotësisht me dy doza Pfizer ose Moderna.
Pse ndodhi kjo? A tregon vala e tretë e Izraelit se vaksinimi nuk funksionon? Le t’i marrim me radhë.
Arsyet e shpërthimit të valës së tretë në Izrael, ishin si vijon:
– Izraeli nuk kontrolloi dot sjelljen e variantit delta nga turistët izraelitë që vizituan vendet e tjera gjatë pushimeve verore.
-Varianti delta u tregua më i aftë se sa besohej për të depërtuar mbulesën imunitare dhe për të shkaktuar infeksione depërtuese. Shpejtësia e përhapjes, po ashtu luajti rol të rëndësishëm.
-Shkalla e vaksinimit 78% nuk ishte e mjaftueshme. Ishin mbi 1 milion fëmijë dhe të rinj të pavaksinuar që, me sa duket, shërbyen si mjet për transmetimin e variantit delta.
-Me sa duket imuniteti që ofron vaksina dobësohet pas muajit të gjashtë.
-Vaksina nuk mjafton. Përballja me variante të reja, të panjohura të SARS-CoV-2 duhet të shoqërohet me masa të tjera parandaluese, përpjestimore me shkallën e rrezikut.
A DËSHTOI VAKSINA?
Jo! Megjithë rritjen e rasteve, edhe vaksina e aplikuar në dhjetor dhe janar u tregua mbi gjashtë herë më efikase për të parandaluar komplikacionet dhe vdekjet tek personat me moshe mbi 60 vjeç.
Ky është një lajm shumë i mirë që flet për domosdoshmërinë e vaksinimit të personave në risk! Sigurisht, me një vaksinë cilësore.
SI REAGOI IZRAELI DHE SI PARAQITET GJENDJA SOT?
Masa kryesore ishte ofrimi i dozës rikujtuese për të gjithë personat mbi 60 vjeç (kufi që më vonë u ul në 50 vjeç). Afërsisht 2 milion doza të treta u aplikuan në më pak se një muaj. Rezultati është ulja e numrit të rasteve të reja, rënia e koeficientit “R” nën 1 dhe rënia e numrit të rasteve të komplikuara pa arritur as 60% të atij që vlerësohet si pragu kritik.
PËRFUNDIM
Shembulli izraelit i javëve të fundit e vendosi sërish shkencën në provë dhe rihapi dilemën mbi efektivitetin e vaksinimit.
Fatmirësisht, edhe njëherë u provua se parimet e shkencës mjeksore, kur aplikohen në kohën, vendin dhe mënyrën e duhur, funksionojnë.
Sa më shumë vende dhe njerëz ta kuptojnë këtë mesazh, aq më mirë do të jetë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të tyre!