Vendosni fjalën kyçe....

Sulm në bazën ushtarake në Jemen, vriten 40 ushtarë


Të paktën 40 ushtarë qeveritarë u vranë në një sulm me raketa nga rebelët Houthi në një bazë ushtarake në Jemenin jugor të dielën, sipas një zëdhënësi të forcave jugore të Jemenit.

Mohamed al-Naqeeb tha se tre raketa balistike goditën bazën al-Anad në provincën jugore Lahij, ndërsa një grup ushtarësh po bënin stërvitje.

Mbi 60 ushtarë u plagosën gjithashtu në sulm, disa prej tyre në gjendje kritike, shtoi ai.

Nuk pati asnjë koment nga grupi Houthi mbi sulmin.

Al-Anad, 60 kilometra  në veri të qytetit jugor të Adenit, është një nga bazat më të mëdha ushtarake në Jemen.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.

Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një fushatë ajrore shkatërruese që synonte të rimerrte fitimet territoriale të Houthit.