Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen dy të rinj në Vlorë, sekuestrohet kanabis, armë zjarri e municion luftarak


Dy persona janë arrestuar në Vlorë gjatë një operacioni kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit janë sekuestruar një sasi kanabisi, katër armë zjarri, municion luftarak, tre radiomarrëse, tre celularë e dy mjete.

Personat e ndaluar janë Augest Lame, 28 vjeç banues në fshatin Bestrovë e Detjan Selimaj, 35 vjeç, banues në fshatin Drashovicë.

Njoftimi

“Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, Forca e Posaçme Operacionale, Forca “Shqiponjat” dhe Komisariati i Policisë Vlorë.

Vihen në pranga 2 shtetas. Gjatë operacionit, Policia ka përdorur dron për lokalizimin e vendndodhjes së tyre. Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kanabis, 4 armë zjarri, municion luftarak, 3 radiomarrëse, 3 aparate celular dhe 2 mjete.

Në vijim të kontrolleve të pandërprera në të gjithë qarkun Vlorë, në zbatim të planit të masave për parandalimin evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u finalizua operacioni policor i koduar “Bestrova”, në kuadër të cilit u bë arrestimi i shtetasve:

Augest Lame, 28 vjeç, banues në fshatin Bestrovë dhe Detjan Selimaj, 35 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, Vlorë.

Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë të dyshuara cannabis sativa, në një sipërfaqe toke në vendin e quajtur “Çeplazet”, në fshatin Bestrovë.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në ambientet ku qëndronin këta dy shtetas u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lende narkotike kanabis, 4 armë zjarri automatike, municion luftarak, 3 radiomarrëse, 3 aparat celular, 1 automjet dhe 1 motomjet.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.”