Kryetari i PD-së Lulzim Basha, në Këshillin Kombëtar të partisë ka goditur ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 duke i quajtur si të papërshtatshme me nevojën e shoqërisë për më shumë demokraci.
Basha kërkoi ndryshime rrënjësore që do vijnë si reflektim i PD-së me intelektualët, studentët, pedagogët të rinj e sipërmarrës që kërkojnë një demokraci funksionale.
“Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale”-deklaroi Basha, raporton News 24.
Më tej kreu i selisë blu tha se për zhbërë kapjen e shtetit PD-ja do ndërtojë bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore për të ndërtuar Platformën qytetare për demokracinë.
“Sikurse kam theksuar në Kuvendin Kombëtar, për të zhbërë kapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi dhe për t’ua kthyer institucionet dhe të drejtën për të vendosur qytetarëve, ne do të ndërtojmë në bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që duan një ndryshim cilësor të jetës politike dhe ekonomike në vend, Platformën qytetare për demokracinë”-tha kryedemokrati.