Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz dhe Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas u takuan të dielën vonë në bisedimet e para të tilla të nivelit të lartë në më shumë se një dekadë, me Izraelin që ra dakord të punojë drejt rritjes së ekonomisë së rrënuar së Auoritetit Palestinez.
Të dy u mblodhën vetëm disa orë pasi kryeministri izraelit Naftali Bennett u kthye nga Uashingtoni, ku presidenti amerikan Joe Biden, i cili është një mbështetës i fortë i zgjidhjes së dy shteteve në konfliktin izraelito-palestinez, i kërkoi atij të ndërmerrte hapa ‘për të përmirësuar jetën e palestinezëve dhe të mbështetur mundësi më të mëdha ekonomike për ta’.
Gjatë bisedës në Shtëpinë e Bardhë, Bennett pranoi të ndihmonte Bregun Perëndimor e të merrej me krizën e tij financiare, por përjashtoi çdo çështje që ka të bëjë me pavarësinë palestineze.
Gantz dhe Abbas u takuan në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor të dielën në mbrëmje dhe diskutuan ‘të gjitha aspektet e marrëdhënieve palestinezo-izraelite’, tha Hussein al-Sheikh, një zyrtar i lartë i Autoritetit Palestinez, në Twitter.
Ministri izraelit i mbrojtjes ishte më specifik në postimin e tij herët të hënën, duke zbuluar se ‘çështjet e politikës së sigurisë, civile dhe ekonomike’ ishin në qendër të takimit.