Vendosni fjalën kyçe....

Evakuimet nga Kabuli në orët e fundit, në 24 orë largohen 1200 persona


Lufta 20-vjeçare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afganistan hyri të hënën në orët e saj të fundit. Rreth 300 amerikanë presin ende të evakuohen dhe ushtria amerikane po përgatitet t’i japë fund transportit ajror e të largohet nga kryeqyteti i kontrolluar nga talebanët.

Padyshim që po shkojmë drejt fundit të misionit tonë“, u tha gazetarëve gjeneral major Hank Taylor gjatë një konference për shtyp në Pentagon. Ai shtoi se detajet e lëvizjeve përfundimtare të evakuimit po mbahen të fshehta për arsye sigurie, shkruan VOA.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se nuk është vonë që amerikanët e mbetur në Kabul të evakuohen.

Ka akoma kohë”, tha zoti Kirby.

Dega e grupit të Shtetit Islamik në Afganistan mori përgjegjësinë për sulmin me raketa ndaj aeroportit të Kabulit. Ushtria amerikane nuk njoftoi për viktima në radhët e saj.

Operacioni i evakuimit është përqëndruar tek nxjerrja nga vendi e amerikanëve të fundit. Zyrtarë të lartë të administratës thanë të dielën se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetet për të evakuuar rreth 300 shtetasit amerikanë të mbetur në Afganistan, të cilët dëshirojnë të largohen përpara 31 gushtit, afati përfundimtar për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

Dy ditët e fundit janë periudha më e rrezikshme e një misioni tashmë jashtëzakonisht të rrezikshëm“, tha kryediplomati amerikan Antony Blinken.

Të hënën fluturimet e avionëve ushtarakë amerikanë vijuan normalisht në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul edhe pas një sulmi me raketa në shënjestër të të cilit ishte aeroporti. Raketat goditën edhe një lagje aty pranë. Zëdhënësi i Komandës Qendrore amerikane Bill Urban tha se pesë raketa u shënjestruan nga një sistem i mbrotjes raketore. Ai tha se nuk kishte viktima në radhët e amerikanëve dhe aeroporti vazhdoi të funksiononte normalisht. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden ishte informuar rreth sulmit.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Biden, Jake Sullivan, tha të dielën se “SHBA ka kapacitete që të evakuojë 300 amerikanët që duan të largohen nga Afganistani para afatit të fundit”.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën në mëngjes se në 24 orët e fundit janë evakuuar rreth 1,200 persona.

Zoti Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk planifikojnë të ketë një prani në vazhdim të ambasadës pas tërheqjes përfundimtare të trupave amerikane. Por ai u zotua se SHBA-ja “do të sigurohet që të ketë një kalim të sigurt për çdo qytetar amerikan apo banor të përhershëm amerikan”, pas së martës, si dhe për “ata afganë që kanë ndihmuar SHBA-në”. Por një numër i paqartë afganësh në rrezik, e të frikësuar nga një rikthim i brutalitetit nën sundimin e talebanëve, sikurse para vitit 2001, ka të ngjarë të lihen pas.

Zoti Blinken tha se SHBA-ja po punon me vendet e tjera në rajon ose për ta mbajtur aeroportin e Kabulit të hapur pas ditës së martë ose për ta rihapur atë “në kohën e duhur”.

Ai tha gjithashtu se ndërsa aeroporti është kritik “ka mënyra të tjera për t’u larguar nga Afganistani, përfshirë rrugët tokësore dhe shumë vendeve që kufizohen me Afganistanin”. SHBA-ja tha ai, “po sigurohet që të ketë të gjitha mjetet e nevojshme për të lehtësuar udhëtimin e atyre që kërkojnë të largohen nga Afganistani” pas së martës.

Sipas të dhënave janë gjithashtu rreth 280 persona të tjerë, që thonë se janë amerikanë, por që i kanë thënë Departamentit të Shtetit se planifikojnë të qëndrojnë në vend ose janë të pavendosur. Sipas të dhënave të fundit, rreth 114,000 njerëz janë evakuuar nga Kabuli që prej 14 gushtit.

Ligjvënësit amerikanë kritikuan atë që e quajnë evakuim kaotik e të dhunshëm.

Ne nuk duhej të ishim në këtë rrethanë të nxituar me terroristët mbi kokë“, tha senatori republikan Mitt Romney. “Por është përgjegjësi e administratës së mëparshme dhe kësaj administrate që ka bërë që kjo krizë të jetë mbi ne dhe ka çuar në atë që është pa diskutim një tragjedi humanitare dhe e politikës së jashtme“, shtoi ai.

Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell tha se strategjia amerikane në Afganistan, me 2,500 trupa në terren, kishte funksionuar. “Ne në fakt, nuk po lejonim terroristët të rigjallëroheshin dhe të kishim një prani të lehtë në këtë vend”, tha ai.

Zyrtarët amerikanë thanë se sulmi amerikan me dron i së dielës goditi një automjet të Shtetit Islamik, duke shkaktuar shpërthime dytësore që tregojnë praninë e një sasie të konsiderueshme të materialit shpërthyes në makinë. Një zyrtar i lartë amerikan tha se droni ushtarak goditi pasi u vu re se disa njerëz po ngarkonin eksplozivë në të.

Zyrtari tha se fillimisht u vu re një shpërthim i shkaktuar nga raketa, pasuar nga një tjetër shumë më i madh, që besohet të jetë rezultat i sasisë së konsiderueshme të eksplozivit brenda automjetit. Në një deklaratë, Komanda Qendrore Amerikane tha se po shqyrtonte njoftimet për viktima civile që mund të jenë shkaktuar nga shpërthimet dytësore. Një zyrtar afgan tha se në sulm ishin vrarë tre fëmijë.

Sulmi me dron ishte i dytë sulm ajror që kanë kryer SHBA-të së fundmi kundër grupit militant, i cili mori përgjegjësinë për shpërthimin vetëvrasës të enjten në një nga portat e aeroportit të Kabulit ku si pasojë u vranë 13 ushtarë amerikanë e shumë civilë afganë. Pentagoni tha se si pasojë e një sulmi amerikan me dron në Afganistanin lindor të shtunën u vranë dy anëtarë të degës së ISIS-it në Afganistan.