Dhjetëra persona janë arrestuar në kryeqytetin grek Athinë pas një proteste kundër vaksinimit të detyrueshëm për të gjithë punonjësit e shëndetësisë.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe makinat ujëhedhëse në një përpjekje për të detyruar turmën të shpërndahet.
Tensionet po rriteshin jashtë parlamentit grek të dielën, kur mijëra persona vërshuan në sheshin qendror Syntagma, duke valëvitur flamuj grekë, duke thirrur parulla dhe duke kundërshtuar planin për të bërë vaksinimet e detyrueshme për të gjithë profesionistët shëndetësorë duke filluar nga 1 shtatori.
Pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan përplasjet e protestuesve me policinë. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes pohuan se policia përdori edhe granata zhurmuese në përpjekje për të shpërndarë tubimin.
Disa nga protestuesit sollën kryqe e ikona në protestë. Sipas AFP, demonstruesit mbanin pankarta ku shkruhej: “Ne nuk jemi kundër vaksinave, por kundër fashizmit”.
Një shofer ambulance i tha agjencisë se ai ishte i tronditur nga vendimi i spitalit të tij për ta kërcënuar atë me shkarkim nga puna sepse ai kundërshtoi një vaksinë kundër Covid-19, duke vënë në dukje se si një punonjës i vijës së parë ai ka luftuar për muaj të tërë kundër virusit.
Gjithsej 47 persona janë arrestuar pas protestës, tha policia në një deklaratë të dielën në mbrëmje, raportuar nga media greke.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani