Vendosni fjalën kyçe....

Letër Ramës nga Derajna*


Xhaxhi Kryeministri,

E di që je i zënë me punë të mëdha Afganistani e qeverie të re. Por kur erdhe vjet te çadra ime, në Kullas, Ishëm, në Nëntor 2020, më more për dore. Bëmë edhe foto e video plot e ti the:

 “Për Vitin e Ri do bëni Gëzuar në shtëpinë e re”.

Kam edhe videon ku më premtove kështu. Se e nxorën xhaxhat e kamerave edhe në televizor, edhe në faqen tënde në Facebook. Ashtu ia kishe vënë edhe titullin videos: “Vizitë te disa familje që do hyjnë në shtëpitë e reja për vitin e ri”.

Iku ai vit i ri. Kaluan edhe 50 ditët që tha Ahmetaj.

Kaloi edhe data 25 Dhjetor që tha “ai djali i firmës”.

Erdhi e iku dimri, bora e shiu. Shtëpia ngeli në vend!

Ashtu e kalova edhe verën e nxehtë, me zhapinjtë që kalonin vrik nëpër çadër. Që kur kam lindur, vetëm çudira kam rreth vetes. Po bën 3 vjet tërmeti. Aq jam dhe unë!

Erdhi vjeshta xhaxhi Kryeministri.

Unë kam shpikur shumë lojëra të thjeshta me veten përmes llaçit e tullave tek karabinaja që më është ndërtuar. Por u bënë 10 muaj, e askush nuk ka ardhur më tek shtëpia që siç na the, do ishte gati qysh vjet.

Pse nuk mbaron dot shtëpia ime e vogël?

Gjatë fushatës takuam edhe xhaxhi Ben Ahmetajn. Bëri ca telefona me nxitim e na tha se ta quanim punë të mbaruar. Do zgjidhej brenda prillit.

Akoma në vend numëro jemi xhaxhi kryeministri.

Vetëm muret janë ngritur.

Neve nuk na dëgjon firma. A mund të të dëgjojnë ty?

Edhe pak ditë punë ka. Dhe unë do doja që shiun e vjeshtës së tretë të mos e shoh më nga çadra, por nga xhamat e shtëpisë së re.

Eja xhaxhi kryeministri. Merru pakëz edhe me ne. E të ftoj prapë për vizitë te muret e shtëpisë sime, në Ishëm!

Faleminderit shumë.

Derajna

*Letra është shkruar nga Edlira Gjoni pas takimit me vogëlushen dhe familjen e saj