Vendosni fjalën kyçe....

Plagosi Edison Begajn te dera e shtëpisë i veshur si polic, shpallet në kërkim juristi nga Tirana (Video)


Është zbardhur plagosja me armë zjarri e Edison Begajt në Vlorë, ngjarje e ndodhur në maj të këtij viti. Sipas policisë, autori i dyshuar i ngjarjes është Mitri Prifti, me profesion jurist e banues në Tiranë.

Ngjarja ndodhu më 29 maj 2021 në fshatin Kaninë.

Siç duket nga kamerat e sigurisë së banesës së Begajt, autori i dyshuar i afrohet shënjestrës i maskuar me veshje policie dhe e qëllon me pistoletë në këmbë.

E gjithë pamja është parë edhe nga fëmijët e 41-vjeçarit që mbeti i plagosur. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pasi Begaj e ka qëlluar Mitrin me shuplakë në Lungomare në një lokal.

Njoftimi

“Vlorë/Zbardhet tentativa e vrasjes së 41-vjeçarit, e ndodhur më 29 maj 2021, në fshatin Kaninë. Shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.

Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 29.05.2021, rreth orës 23:25, në fshatin Kaninë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi E. B. Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave ligjore (shkencore) të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë e mundur shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit:

Mitri Prifti, 36 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.”

*Video Credit: Shqiptarja