Vendosni fjalën kyçe....

Debati i ri Shqipëri – Kosovë, si po sulmohet Albin Kurti për ambasadorin e ri në Tiranë


Një debat i ri, i cili ka nisur të zgjasë tentakulat, po prodhohet me shpejtësi në arenën publike të Tiranës.

Mediet kanë patur në fokus sot disa “fakte” të cilat kanë të bëjnë me dërgimin e ambasadorit të ri të Kosovës në Tiranë, Idriz Zeqiraj.

Pas debatit mbi “Open Balkan”, që përfshiu në replika dhe kundër-replika dy kryeministrat, të Shqipërisë Ramën dhe të Kosovës, Kurtin si dhe tymnajën mbi performancën e artistit serbo-boshnjak Goran Bregoviçit, radhën e ka emri i ambasadorit të ri.

Mediet afër qeverisë Rama kanë prodhuar sot me shpejtësi sfondin mbi veprimtarinë e ambasadorit që sipas tyre është propozuar.

Në rreth Idriz Zeqiraj

Ato shkruajnë se “Zeqiraj, i akuzuar në të shkuarën si i infiltruar i UDB-së në radhët e Sigurimit të Shtetit Shqiptar gjatë diktaturës, është një figurë e kritikuar ashpër brenda jetës publike në Kosovë pasi çmendurisht kërkonte që aeroportit të Prishtinës t’i hiqej emri i Adem Jasharit sepse sipas tij, ky ishte thjesht një hero lokalist i mbivlerësuar. Pas minimizimit që i ka bërë publikisht figurës së heroit legjendar Adem Jashari, duket se obsesioni publik i ambasadorit të ardhshëm të Kosovës në Shqipëri, është pikërisht kryeministri shqiptar, Edi Rama.”

“Me qitje të largët”, shkrimet e ngjashme publikuar në kombinim ditën e sotme në mediet shqiptare afër qeverisë Rama kritikojnë qeverinë e Kurtit, duke akuzuar se Kurti ka investuar kohët e fundit në një debat politik kundër Shqipërisë.

Nuk është fort e qartë nëse Zeqiraj do të jetë apo jo ambasador i Kosovës në Shqipëri./Hashtag.al