Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të futen së bashku në BE


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë ka thënë se zgjerimi i ardhshëm i BE-së dhe reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndodhin krahë për krahë me njëra tjetrën. Sipas tij, në BE duhet të integrohen të gjitha shtet e Ballkanit Perëndimor bashkë.

Për nevojën e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE, Kurti përmendi edhe dy fakte që mund të përfitojnë dy palët.

Më tej ai tha se Kosova është shtet pro perëndimor dhe aspiron të anëtarësohet sa më shpejt në BE dhe NATO.

Unë besoj se përfshirja e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor do të ketë dy përfitime të mëdha për dy palët. Së pari, kufiri i jashtëm i BE-së do të zvogëlohet me mijëra kilometra, sepse ne nuk jemi fqinj me BE-në, por rrethohemi nga BE. Përveç kësaj, një në tre qytetarë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk banon në vendet e tyre, por në BE. Kështu që me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE diaspora jonë do të jetojë në të njëjtën hapësirë dhe kjo do të jetë shumë mirë për ekonominë”, tha ndër të tjera Kurti.

Në panelin me liderët tjerë të rajonit ballkanik, Kurti përmendi pritjen e rreth 2000 afganëve në Kosovë.

Ai tha se Kosova është vend i varfër, por kur bëhet fjalë për çështje humanitare nuk pyesin pse, por vetëm si.

Ndërkohë, theksoi se partneriteti me SHBA-të për Kosovën është shumë i rëndësishëm dhe i fortë.

Ne besojmë që BE duhet mbrojtur dhe përkrahur, për këtë qëllim duhet të kryejmë reformat në vendet tona, por të njëjtën kohë edhe të ecim me zgjerimin e BE-së. Zgjerimi i ardhshëm i BE-së dhe reformat tona shkojnë krahë për krahë, besoj, sidoqoftë se duhet të ketë një sërë reformash edhe në sistemin vendimmarrës të BE-së. Hapat më të guximshëm do të bëjnë më të mundur ketë. Kemi pritur rreth 2000 afganë në Kosovë, jemi vend i varfër, por besojmë se kur bëhet fjalë për çështje humanitare nuk themi pse, por vetëm si, plus partneriteti me SHBA, për ne është shumë i rëndësishëm dhe shumë i fortë”, tha Kurti.