Edi Rama prezantoi sot qeverinë e re dhe ndarjen e pushteteve kryesore, ndërsa menjëhere vërehet një element:
Duket sikur Rama ka plotësuar një kapricio të vetën për t’u rrethuar me femra.
Madje anatemuesit e Ramës po përpiqen që të injektojnë konceptin e “haremit” në opinionin publik, me qëllim diskretitimin e këtij vendimi të Ramës për dominancë femërore ne poste drejtuese.
Në fakt gjasat janë që pikërisht kjo lëvizje e Ramës të jetë pika e tij më e fortë.
Pas 25 Prillit Edi Rama u shndërrua thuajse në një monark. Ai theu tabunë e mandatit të tretë, ndërsa kur opozita e shpartalluar tentoi ta kërcënonte me destabilizim dhe protesta kontestuese, u godit nga SHBA-të, duke shpallur Berishën non-grata.
Kjo goditje e dytë për opozitën, e konsolidoi fort monarkun. Pikërisht ky konsolidim dhe kjo forcë e madhe që Rama akumuloi, ishte dhe pika e tij e dobët.
Sepse duke qenë i gjithëpushtetshëm, ekzistonin të gjitha rrethanat që ai të përfshihej nga euforia, ndjenja e superioritetit dhe arroganca.
Rama u tregua tepër i aftë që të kufizonte euforinë e drejtuesëve të qarqeve në zgjedhje, kur u bëri të ditur pas 25 prillit se rezultatet e mira ia kishin borxh PS-së dhe se këto rezultate në zgjedhje s’mund të ishin kusht për prezencë në kabinetin qeveritar.
Nga ana tjetër, Rama po mendon dhe për të shuar çdo merak të ndërkombëtarëve për ndonjë prirje arrogante të tij pasi ka fituar pushtet absolut.
Ndaj dhe në kulmin e fuqisë së vet, pikërisht tani që eshtë në zenith dhe më i fortë se kurrë, Edi Rama zuri në befasi të gjithë ata që mendonin se do bëhej arrogant:
Ai vendos të shfaqet i butë, me mbidozë feminiliteti në kabinet, pikërisht në momentin që ai është më i fortë se kurrë.
Për ndërkombëtarët këto janë lëvizje sugjestionuese, të cilat japin garanci se kryeministri i Shqipërisë nuk po merr për kot.
Në kulmin e fuqisë së vet, Edi Rama ka ditur të shfaqet vulnerabël, me një ekip të butë e paqësor.
Kjo strategji, jo vetëm që nuk është punë kapriciosh haremi siç po përpiqen ta quajnë anatemuesit e tij, por përkundrazi është kalkulim tepër diabolik, nëpërmjet të cilit Rama i heq vetes të vetmen ngarkesë qe mund ta dëmtonte:
Arrogancën që vjen bashkë me super pushtetin. /Hashtag.al