Një stuhi e fuqishme shkaktoi përmbytje në pjesë të ndryshme të Spanjës, , duke lënë mijëra vetë pa energji elektrike e duke detyruar autoritetet të mbyllin rrugë e linja hekurudhore.
Sipas shërbimit kombëtar të metereologjisë, stuhia shkaktoi më shumë se 9.000 rrufe në mbarë vendin.
Stuhia, që mori forcë prej temperaturave të larta dhe niveleve rekord të lagështisë në ajër, goditi me forcë të skajshme sidomos qytetin bregdetar të Alcanarit dhe rajonin verilindor të Katalonjës.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka shprehur solidaritetin e tij të plotë me zonat e goditura dhe i kërkoi banorëve të tregohen shumë të kujdesshëm, pasi reshjet e rrëmbyera duket se do të vazhdojnë.
Disa rrugë në Alcanar u kthyen brenda një kohe të shkurtër në lumenj të vërtetë; vërshimi i ujërave mori me vete makina, pemë e madje edhe mobiljet që gjeti përpara.
Por, ndonëse pati raporte për persona të bllokuar nëpër automjete, deri tani nuk flitet për viktima.