Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar një tjetër kallëzim penal në SPAK.
Ajo ka kallëzuar prokurorin Sotir Kllapi pasi sipas aleancës ai nuk nuk ka regjistruar kallëzimin penal e të nisë hetimet ndaj prokurores Manjola Kajana për çështjen e prishjes së teatrit.
Në një deklaratë për mediat, avokatja Adriana Kalaja tha se prokurori Kllapi është bërë palë me kolegen e tij duke shpërdoruar detyrën.
“Ne e çmojmë veprimin e prokurorit si bërje palë me zyrtarët e korruptuar, si solidaritet në shkelje të ligjit me kolegët e vet. Ne kemi argumentuar pse prokurori Sotir Kllapi ka shpërdoruar detyrën, duke u bërë palë me zyrtarët që shkelin ligjin. Ne sot kemi dy prokurorë të SPAK të kallëzuar. Ju garantojmë me fuqinë e ligjit se jemi të gatshëm të çojmë për kallëzim penal të gjithë prokurorinë e SPAK, nëse ata nuk do të veprojnë për dosjet tona. Sot arrin në 16 numri i kallëzimeve penale dhe nuk kemi asnjë reagim nga SPAK. Dokumenti i dytë është kërkesa që i kemi dërguar prokurorit Edvin Kondili, për çështjen e teatrit. Ne nuk e dimë ende se në ç’fazë janë hetimet për Teatrin. Ne kemi bërë 8 kallëzime vetëm për çështjen e teatrit. Megjithëse ne e fituam çështjen në Apel, ky prokuror e mbajti deri në limitet e fundit dhe nuk e regjistroi. Jemi të gatshëm të çojmë për kallëzim penal gjithë SPAK-un nëse ata nuk do veprojnë për dosjet tona në SPAK”, tha Kalaja.