Departamenti i Shtetit Amerikan inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike, thuhet në një përgjigje të këtij Departamenti për KOHËN në prag të njëvjetorit të Marrëveshjes së Uashingtonit.
Marrëveshja u nënshkrua një vit më parë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë nga ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, nën praninë e ish-presidentit Donald Trump.
“Për të mbështetur suksesin e dialogut dhe përpjekjet e tjera, ne inkurajojmë të dyja palët që të ruajnë moratoriumet e tyre në çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit tutje shkruan se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me Kosovën dhe Serbinë më qëllim normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve mes tyre.
“Ne po vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe Serbinë për të zbatuar angazhimet e tyre në mbështetje të qëllimit të normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe detyruese të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, e cila hedh themelet për bashkëpunim dhe prosperitet të qëndrueshëm”, vijon përgjigja e Departamentit të Shtetit.
Departamenti i Shtetit shprehu mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen sërish në këtë proces. Ata gjithashtu kërkuan të respektohet me mirëbesim angazhimet që kanë arritur në Uashington vitin e kaluar.
“Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE dhe inkurajojmë palët që të angazhohen sërish në këtë proces me një ndjenjë urgjence për të trajtuar çështje teknike dhe politike. Shpresojmë që partnerët tanë do të respektojnë me mirëbesim angazhimet që kanë marrë në Uashington vitin e kaluar. Prandaj ne inkurajojmë të dyja palët që t’i japin përparësi përpjekjeve për të ndërtuar besimin politik përmes pjesëmarrjes serioze dhe thelbësore në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE. Ne gjithashtu inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të rrisin bashkëpunimin në fushat me interes të ndërsjellë, siç është rimëkëmbja e pandemisë dhe përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare”, përfundon përgjigja e tyre.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë i mundur nga ish- i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, nën ndërmjetësimin e Trumpit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Koha