Lehtësimi i kufizimeve gjatë këtij viti e ka kthyer aktivitetin më afër normalitetit dhe bashkë me të ka rritur edhe numrin e aksidenteve.
Kjo është reflektuar menjëherë edhe në rritje të dëmeve nga sigurimet e detyrueshme motorike. Të dhënat e Instat treguan se për 7-mujorin 2021 numri i aksidenteve rrugore u rrit me pothuajse 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mbyllja dhe kufizimet drastike që u aplikuan vitin e kaluar për të kufizuar përhapjen e pandemisë bënë që përkohësisht edhe aksidentet të pakësoheshin, por rihapja tregoi qartë se sjellja e shqiptarëve në timon nuk ka ndryshuar shumë.
Për 7-mujorin 2021, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 1.6 miliardë lekë dëme nga sigurimet e detyrueshme motorike, në rritje me 51% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo e ktheu produktin MTPL në krye të renditjes së dëmeve, me 41% të totalit. Vitin e kaluar, pesha e këtij produkti në strukturën e dëmeve pësoi një rënie të ndjeshme, e shakktuar nga pakësimi i dëmeve për shkak të kufizimeve, por edhe nga rritja e lartë e dëmeve në klasën e fatkeqësive natyrore.
Këtë vit i janë kthyer rritjes edhe dëmet që kompanitë po paguajnë përmes Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Për 7-mujorin, ato arritën vlerën e 150 milionë lekëve, me një rritje prej 1.25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fondi i Kompensimit është përgjegjës për pagesën e dëmeve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara.
Në total, kompanitë e sigurimeve këtë vit po paguajnë më pak dëme, në rënie me 7% krahasuar me 7-mujorin 2020. Kjo lidhet kryesisht me rritjen e konsiderueshme të dëmeve që shkaktoi tërmeti në bilancin e vitit të kaluar. Në veçanti, në tregun e jo-jetës rënia e dëmeve është më e lartë se mesatarja e tregut, me 9.5%. Një efekt të kundërt ka dhënë rritja e dëmeve në tregun e sigurimit të jetës, ku shtimi i vdekjeve nga pandemia ka dhënë një efekt të dukshëm, me rritje të dëmeve mbi 59%.
Megjithatë, po ta krahasojmë vlerën totale të dëmeve në sigurime me vitin 2019, që nuk u ndikua nga ngjarje të jashtëzakonshme, ato janë në rritje, me 23% më shumë.
Nëse përjashtojmë sigurimin e katastrofave, shumica e klasave të tjera kanë shënuar rritje të dëmeve gjatë këtij viti, duke reflektuar kthimin drejt normalitetit të aktivitetit shoqëror dhe ekonomik në vend. Veç sigurimeve të detyrueshme motorike, rritje të lartë, me 27% kanë shënuar edhe dëmet nga sigurimi vullnetar Kasko. Edhe në këtë rast faktori më i rëndësishëm është rritja e numrit të aksidenteve.
Rritje mjaft të lartë, me rreth 36%, kanë shënuar edhe dëmet nga sigurimi i sëmundjeve dhe shëndetit e aksidenteve në udhëtim.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor