“Aleanca LGBT” çon te Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit pastorin Akil Pano për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe të diskriminimit.
“Zoti Akil Pano, pastor i Kishës “Ungjilli i Krishtit” ka nisur një fushatë keqinformimi të mbushur me gjuhë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTI+, duke përdorur median, rrjetet sociale dhe mbështetjen e ndjekësve të tij. Në daljen publike të datës 02.09.2021, Z. Akil Pano na akuzoi se kishim ndërtuar një ankesë për diskriminim dhe gjuhë urrejtjeje ndaj tij mbi deklarata të nxjerra nga konteksti. Në fakt, ankesa jonë bazohet vetëm në fakte të njohura publikisht, lehtësisht të verifikueshme dhe në argumente të mbështetura në ligj.”, deklaron “Aleanca LGBT”.
Sipas aleancës “të qenurit personazh publik, me apo pa dëshirë e vendos pastorin Akil Pano në një pozicion të ndryshëm nga ai i një individi të panjohur për publikun, për faktin e thjeshtë se ka të gjitha mundësitë të ndikojë opinionin dhe kuptimin e masës, duke e nxitur atë drejt mendimeve e sjelljeve paragjykuese, diskriminuese dhe të dhunshme ndaj komunitetit LGBTI+. Në faqen e vet në facebook, idhtarët e kishës së pastorit që duhet të ishte një institucion fetar ku promovohet dashuria për njeriun, në mënyrë të përsëritur fyejnë dhe bëjnë thirrje për urrejtje ndaj komunitetit LGBTI+, duke u larguar kështu nga fryma disa shekullore e feve në Shqipëri që nuk i fryjnë asnjë zjarri përjashtues”.
Pastori Pano thotë se seanca dëgjimore cënoi rëndë lirinë e fjalës dhe besimit.
“Dje në orën 10:00 do të zhvillohej seanca dëgjimore tek Institucioni i Komisionerit Kundër Diskriminimit mbi hetimin e nisur ndaj meje për diskriminim, mbi pretendimet e Komisionerit dhe grupit LGBTQI+ në daljet e mia publike në mbrojtje të familjes në debatin mbi zëvendësimin e fjalës NËNË dhe BABA me PRINDI 1 dhe PRINDI 2.
Komisioneri në shkelje të plotë të ligjit dhe proçedurave, duke thyer parimet e pavarësisë, paanësisë, drejtësisë, transparencës dhe të drejtës për informim publik, imponoi një seancë antiligjore me dyer të mbyllura ku nuk lejoi jo vetëm median por as avokatin tim, megjithë detyrimet ligjore të përcaktuara shprehimisht në Nenin 40 “Seanca Dëgjimore Publike.”, shprehet Pano.
Sipas tij “kjo ngjarje e shëmtuar nuk është një goditje vetëm ndaj një Pastori që i qëndron besnik besimit dhe mbrojtjes së fjalës së lirë, por ndaj vetë konceptimit të ligjit si paanshmëri, ndaj çdo qytetari të lirë teist apo ateist, ndaj çdo kleriku dhe sigurisht, ndaj institucioneve të cilat janë në shërbim të qytetarëve dhe ligjit.”
“Sot unë dhe të gjithë ne përballemi me nevojën të mbrojmë çka kemi më të çmuar në këtë jetë: lirinë dhe familjen.”, përfundon Pano.
Pastori Pano thotë se gjithçka është e inskenuar dhe se janë shkëputur fjalë dhe nocione dhe u janë vendosur interpretime të reja.