Vendosni fjalën kyçe....

PD akuza Ramës: Braktisi forcat e ushtrisë e emergjencat civile gjatë zjarreve, propaganda s’e shpëton


Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama për braktisjen e forcave të ushtrisë e emergjencave civile gjatë zjarreve në vend.

Në një deklaratë nga selia blu, deputeti i zgjedhur Tomor Alizoti tha se qytetarët dëgjuan sot propagandën e neveritshme të kryeministrit Rama. Ai falënderoi forcat e NATO-s dhe Kosovën për ndihmën e dhënë.

Ai theksoi se ligji duhet të veprojë jo vetëm kundër zjarrvënësve po edhe kundër zyrtarëve që kanë shpërdoruar detyrën e fondet publike.

“Sot, qytetarët dëgjuan edhe njëherë propagandën e neveritshme që prej shumë kohësh përmbys të vërtetën, për t’iu fshehur përgjegjësive dhe për ta shitur dështimin si sukses. Është e qartë për të gjithë, braktisja e forcave të ushtrisë dhe skuadrave të emergjencave civile. Ata u përballën me zjarret me mjete rrethanore ndërsa Rama, shëtiste me helikopterin që duhej të ndihmonte në përballjen me zjarret. Mirënjohje partnerëve tanë euro-atlantikë dhe Kosovës, pa ndihmën e të cilëve dhe pa vullnetin e personelit të ushtrisë dhe emergjencave, të braktisur dhe lënë në mëshirë të fatit, kostot e keqmenaxhimit, paaftësisë dhe korrupsionit të këtij regjimi, do të ishin edhe më të frikshme për qytetarët dhe pasurinë tonë natyrore. E domosdoshme që ligji të veprojë kundër zjarrvënësve, por edhe më rëndësishme që përpara ligjit të japin llogari ata që kanë shpërdoruar me detyrën dhe me korrupsionin e kudondodhur të këtij regjimi, të cilët janë zjarrvënësit e financave publike dhe fatkeqësia e qytetarëve shqiptarë.” – tha Alizoti.