Vendosni fjalën kyçe....

Rritet ndjeshëm konsumi i pijeve energjike, kafesë e pijeve alkoolike në vend


Konsumi i pijeve energjike, kafesë dhe pijeve alkoolike është rritur ndjeshëm në pjesën e parë të këtij viti, e reflektuar dhe në importet e larta të tyre, që ia kanë kaluar edhe periudhës së para pandemisë.

Kjo tendencë tregon për një gjallërim të konsumit këtë vit, të nxitur dhe nga rritja e hyrjeve të turistëve të huaj, sidomos atyre nga Kosova që kanë amortizuar disi mosardhjen e të huajve nga vendet e tjera të Europës për shkak të kufizimeve që u diktuan nga pandemia.

Rekord i pijeve energjike

Sipas të dhënave nga Doganat, importi i pijeve energjike për periudhën janar-korrik arriti 9.5 milionë litra, me një rritje prej 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe gjatë 7 mujorit të vitit të mëparshëm, që përkon me periudhën kur vendi ishte në karantinë, sërish konsumi i këtij produkti ishte në rritje, me importet për 7 mujorin që u zgjeruan me 23% në krahasim me vitin normal 2019. Mbyllja në shtëpi dhe stresi që shkaktoi pandemia vlerësohet nga aktorët e tregut një prej faktorëve që nxiti konsumin e pijeve energjike. Ndërsa në pjesën e parë të këtij viti shitjet janë gjallëruar si rrjedhojë e përmirësimit të konsumit dhe rritjes së hyrjes së të huajve, sidomos atyre nga Kosova.

Më shumë kafe

Kafeja është një tjetër produkt që ka njohur rritje të konsumit. Sipas doganave në periudhën janar-korrik 2021 u importuan rreth 5 mijë ton kafe me një rritje prej 10% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s. Gjatë periudhës së karantinës, konsumi i kafesë vijoi të ishte relativisht i lartë, pavarësisht mbylljes së bareve e restoranteve për disa muaj, pasi produkti shumë i preferuar nga shqiptarët u përdor në shtëpi (në atë periudhë u raportua një rritje e lartë e shitjeve të ekspresëve të kafesë).

Rikthehet konsumi i pijeve alkoolike

Pijet alkoolike ishin produkti që u godit më shumë nga pandemia dhe mbyllja e bareve e sidomos klubeve të natës. Për periudhën janar-korrik 2020, konsumi i pijeve alkoolike (i llogaritur si import plus prodhimin vendas) ra me 42% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Tkurrjen më të lartë e shënoi prodhimi vendas, që gati u përgjysmua, duke detyruar disa kompani që të përshtateshin duke e përqendruar aktivitetin në prodhimin e dezinfektantëve që u kërkuan shumë gjatë pandemisë.

Por, në pjesën e parë të 2021, konsumi është rikuperuar ndjeshëm, sidomos i pijeve të huaja. Sipas doganave, importi i pijeve alkoolike u rrit me 71% në janar-korrik 2021, në krahasim me 7 mujorin 2020. Edhe në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, zgjerimi është rreth 51%. Prodhimi vendas ishte 445 mijë litra për janar-korrik 2021, me rritje 53% me bazë vjetore, por që ende është 18% më i ulët se në 2019-n.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor