Vendosni fjalën kyçe....

Zëvendësambasadori amerikan takon drejtorin Veliu: Do keni përherë mbështetjen e SHBA-ve


Demian Smith, zëvendësambasadori amerikan në Tiranë i emëruar pak javë më parë ka kryer sot një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun.

Veliu, sipas Zyrës së Shtypit i siguroi Smithit se “bashkëpunimi mjaft i shkëlqyer i deritanishëm mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë do vijojë të forcohet akoma më tej në interes të sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.”

“Gjatë takimit prezantues, Drejtor Veliu njohu zv/ambasadorin Demian Smith, me rezultatet e arritura së fundmi nga strukturat e Policisë së Shtetit në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të drogave të forta, si dhe me operacionet e përbashkëta me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese amerikane, për të goditur e çmontuar grupet kriminale që veprojnë në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Smith përgëzoi Drejtor Veliun, për rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit dhe e siguroi atë se Policia e Shtetit do ta ketë përherë mbështetjen e SHBA-së në luftën e përbashkët në interes të të dy vendeve dhe më gjerë.

Në fund të takimit, Veliu garantoi zv/ambasadorin Smith se Policia e Shtetit është e foksuar dhe e vendosur vetëm në drejtim të zbatimit të ligjit dhe vetëm të ligjit.”, njofton Policia e Shtetit.

Smith shoqërohej në këtë takim nga Karen Riley, shefe e Zyrës Rajonale të Sigurimit të Shërbimit Diplomatik në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe Argron Zotria, nga zyra e Sigurimit të Ambasadës.