Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se është “absurde” që vendi i tij dhe Japonia nuk kanë nënshkruar një marrëveshje paqeje pas Luftës së Dytë Botërore dhe se Qeveria e Tokios “ndryshon vazhdimisht qëndrimin” lidhur me këtë çështje.
Sipas agjencisë së lajmeve “Kyodo”, Putin në Forumin Ekonomik Lindor që u mbajt në qytetin Vladivostok të Rusisë ka folur për marrëdhëniet rajonale të vendit të tij me Japoninë.
“Është ‘absurde’ që mes Japonisë dhe Rusisë nuk është nënshkruar një marrëveshje paqeje pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Putin i cili kritikoi Qeverinë e Tokios se ajo “ndryshon vazhdimisht qëndrimin” në negociatat lidhur me marrëveshjen në fjalë.
Duke shprehur dëshirën për të vazhduar bisedimet e marrëveshjes së paqes me Japoninë, Putin potencoi se vendi i tij “nuk ka refuzuar asnjëherë” procesin që do të çojë në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes.
Sipas lajmit të transmetuesit publik NHK, Putin ka bërë të ditur se negociatat duhet të zhvillohen nën shoqërimin e garantimit të sigurisë së Rusisë. Ai vuri në dukje se Japonia duhet të marrë në konsideratë shqetësimet e Rusisë kundrejt aleancës së sigurisë Japoni-SHBA.
Putin shtoi se investimet tregtare të kompanive japoneze dhe të huaja në Ishujt Kurile, për të cilat ka mosmarrëveshje mes dy vendeve dhe të cilat në Rusi njihen si “Kurili i Jugut” dhe në Japoni “Rajonet Veriore”, do të përjashtohen nga tatimi për një periudhë 10 vjeçare.
Mosmarrëveshja mes Rusisë dhe Japonisë mbi Ishujt Kurile
Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, aneksoi Ishujt Kurile të Japonisë, që shtrihen rreth 1.300 kilometra dhe ndajnë Oqeanin e Paqësorit dhe Detin Ohotsk.
Palët nuk mund të arrijnë rezultat në negociatat e zhvilluara për të nënshkruar marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Japonisë për shkak të mosmarrëveshjes për pjesën territoriale të cilën Japonia pas aneksimit i ka emërtuar si “Rajonet Veriore”.