Ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës midis Brazilit dhe Argjentinës u pezullua në rrethana të çuditshme mes një grindjeje për një grup lojtarësh argjentinas, të cilët autoritetet shëndetësore vendase këmbëngulën se duhet të ishin në karantinë.
Yjet argjentinas Emiliano Buendia, Emiliano Martinez, Giovani Lo Celso dhe Cristian Romero me sa duket kanë shkelur rregullat e karantinës pasi mbërritën në Brazil nga Anglia, ku kishin qenë dy javët e fundit.
Mes skenave të çuditshme pas fillimit të ndeshjes, zyrtarët shëndetësorë u panë duke u përpjekur të hynin në fushë ndërsa ndeshja ishte ndalur.
E udhëhequr nga kapiteni Lionel Messi, Argjentina më pas shkoi në dhomën e zhveshjes.
Messi më vonë doli në diskutim me ish-shokun brazilian të Barcelonës, Dani Alves, pasi në fushë mbretëronte rrëmuja e paqartësia nëse ndeshja do të vijonte.
Por pasi Messi u largua përsëri, u duk se ndeshja do të braktisej pavarësisht se skuadra e Brazilit mbeti në fushë me veshjen e plotë.
Ndërsa Buendia nuk ishte pjesë e skuadrës së Argjentinës për ndeshjen e së dielës, tre shokët e tij që luajnë në Premier League në Angli ishin përfshirë në ekipin fillestar të emëruar nga menaxheri Lionel Scaloni.
Vetë prania e tyre në stadium paraqiste një problem pasi autoriteti shëndetësor brazilian përfshin Mbretërinë e Bashkuar në listën e saj të kuqe Covid, që do të thotë se cilido që vjen nga ky vend duhet të qëndrojë në karantinë për dy javë.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani