Vendosni fjalën kyçe....

Gruas në SHBA i priten duart e këmbët për shkak të infeksionit të shkaktuar nga pështyma e qenit


Një gruaje i janë prerë krahët e këmbët për shkak të një infeksioni të marrë nga pështyma e qenit të saj. Kur një grua nga Ohio në SHBA u zgjua nga një gjendje kome 10-ditore, ajo u trondit kur mësoi se të dy këmbët dhe krahët e saj ishin prerë pjesërisht.

“Kur hapa sytë nuk e dija se ku isha,” tha Marie Trainer, e cila përfundoi duke kaluar më shumë se 80 ditë në spital.

“Ishte shumë e vështirë të zbuloja se ata duhej të më hiqnin këmbët dhe krahët, shumë e vështirë për t’u përballuar.”

E gjitha filloi kur Marie dhe burri i saj Matthew Trainer u kthyen nga pushimet në Karaibe. Marie filloi të kishte të përziera e dhimbje në shpinë, i tha ajo kanalit ‘Fox 8’. Ajo mendoi se ishte grip, por më pas temperatura e saj u rrit papritur dhe ra sërish. Kjo ishte shenja e parë që ishte diçka më serioze.

Në spitalin Aultman në Canton, Ohio, Marie iu nënshtrua një trajtimi agresiv, por gjendja e saj vetëm u përkeqësua. Brenda disa orësh, ajo kishte zhvilluar sepsis, një përgjigje ekstreme trupore ndaj infeksionit, në të cilën inflamacioni në të gjithë trupin mund të çojë në dështim të organeve dhe nganjëherë vdekje.

Më pas Marie pati përkeqësim të shëndetit për shkak të gangrenës.

Më në fund, testet e gjakut të Marie zbuluan diagnozën e saj: Ajo kishte kontraktuar një bakter të quajtur capnocytophaga.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), capnocytophaga zakonisht gjendet në gojën e qenve dhe maceve. Mund të përhapet tek njerëzit përmes kafshimeve dhe gërvishtjeve, por shumica e njerëzve që e marrin atë nuk sëmuren.

Sidoqoftë, në raste të rralla, si ajo e Marie, mund të jetë kërcënuese për jetën. Rreth 30% e njerëzve që zhvillojnë infeksione serioze nga mikrobet e capnocytophaga vdesin. Disa infeksione madje mund të çojnë në vdekje brenda 24 deri në 72 orë pas fillimit të simptomave.