Gjykata e Tiranës ka dhënë masat e arrestit për 5 të arrestuarit gjatë operacionit ‘Kompleks’ për transport të emigrantëve të paligjshëm.
Në burg ka mbetur vetëm i akuzuari Rigers Vejsiu ndërsa janë liruar nga qelia me masën arrest shtëpie Sterjo Germenji, Dritan Shehu, Sanije Shehu dhe Anamaria Mihallari.
Të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se me mjetet e tyre private kundrejt shpërblimit monetar, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm nga kufiri shqiptaro-grek në zonën e Devollit drejt Tiranës.
Emigrantët e paligjshëm pasi strehoheshin nga dy motrat Drita Shehu dhe Sanije Shehu në hotelet e tyre në zonën e Laprakës, bënin organizimin e tyre në bashkëpunim dhe me Rigers Vejsiu (djali i Drita Shehut) dhe më pas nisjen e tyre kundrejt pagesës, në drejtim të Kukësit me qëllim kalimin e tyre në Kosovë, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.