Vendosni fjalën kyçe....

Talebanët pretendojnë marrjen edhe të Luginës Panjshir


Talebanët thanë të hënën se e kanë pushtuar Luginën veriore Panjshir, duke i dhënë fund rezistencës së vetme të armatosur ndaj sundimit të tyre në Afganistan.

“Kjo fitore i jep fund luftës në mbarë vendin dhe hap rrugën për një jetë paqësore dhe përparim në një atmosferë pavarësie,” tha në një deklaratë zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga forcat opozitare, të njohura si Fronti i Rezistencës Kombëtare, (NRF) të udhëhequr nga komandanti Ahmad Massoud.

Talebanët e shpallën fitoren disa orë pasi Ahmad Massoud tha se i mirëpriste propozimet e dijetarëve fetarë për bisedime paqësore me talebanët, nëse ata tërhiqnin forcat e tyre nga vendlindja e tij, Panjshir.

Ahmad Massoud e bëri ofertën përmes një postimi në faqen e organizatës së tij në facebook në ditën kur forcat talebane pretenduan se kishin hapur rrugën për në kryeqytetin e provincës, Bazarak, pasi pushtuan pjesën tjetër të provincës.

Burime të shumta konfirmuan gjithashtu vrasjen e zëdhënësit zyrtar të NRF-së, Fahim Dashty, së bashku me kushëririn e Massoudit, gjeneralin Abdul Wudood, gjatë luftimeve të së dielës, raporton VOA.

“Fronti Kombëtar i Rezistencës është gati të ndalojë luftimet menjëherë në mënyrë që të arrijë paqe të qëndrueshme, nëse grupi taleban përfundon sulmet dhe lëvizjet e tij ushtarake në Panjshir dhe Andarab”, thuhet në postimin në Facebook duke cituar Massoudin. Andarabi është një zonë në provincën fqinje Baghlan dhe shtrihet në hyrje të Panjshirit.