Vendosni fjalën kyçe....

Parashikimi i Ngjelës: Në shtator do goditen elitat politike në Shqipëri e Kosovë, do u merren paratë e pronat. Meta e Berisha do shkarkohen


Avokati Sparkat Ngjela ka paralajmëruar se shtatori do jetë muaji i antikorrupsionit.

Në një reagim në Facebook, ai shkruan se muaji antikorrupsion do godasë në Shqipëri e më pas edhe në Kosovë kundër elitave politike në dy vendet që pasi kanë falimentuar do u merren paratë e pronat.

“Ky do të jetë muaji antikorrupsion…Ky pritet të jetë muaji antikorrupsion në Shqipëri, por, më pas, edhe në Kosovë, kundrejt elitave politike në Tiranë dhe në Prishtinë. Këto elita tani kanë falimentuar; pritet t’u merren paratë dhe pronat. Shqiptarët e Shqipërisë janë të pushtuar plotësisht nga korrupsioni, reforma antikorrupsion do t’u sjellë çlirimin historik. Dhe, tani, këtë pushtim e ka goditur me vendim non grata politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në nivelin më të lartë të tij: te Sali Berisha. Domethënë se Amerika po kërkon pastrimin e krerëve të lartë të korrupsionit në Shqipëri? Por, dy janë figurat politike të  kryqëzuara juridikisht në këtë kohë: Ilir Meta dhe Sali Berisha.” – shkruan Ngjela.

Ai shkruan më tej se presidenti Meta e ish-kryeministri Berisha nuk kanë më të ardhme pasi janë drejt shkarkimit, i pari nga Gjykata Kushtetuese dhe i dyti nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas Ngjelës shpallja non grata e Berishës nga SHBA-ja është një kambanë alarmi që bie për të dhe për Partinë Demokratike.

“Të dy nuk kanë më të ardhme, se janë drejt shkarkimit, njëri nga Gjykata Kushtetuese dhe tjetri nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sot, në Shqipëri, ligji për Dekriminalizimin, nuk lejon që, personat e dëbuar nga Amerika si persona non grata, të jenë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Fiks këtë, ka kërkuar edhe ambasadorja e Amerikës në Tiranë. Edhe Sali Berisha tani është një person i tillë, por me një tekst të rreptë diplomatik dhe juridik njëherësh, kundër tij. Teksti i vendimit të Departamentit të Shtetit, që e ka nxjerrë non grata Sali Berishën, domethënë si të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, e vë theksin se: “Berisha, me gjithë familjen e tij, është një çerdhe e rrezikshme korrupsioni, e cila cënon sigurinë e Amerikës”. Pas kësaj, a ka shqiptar që mund ta pranojë më Berishën si deputet të tij? Kjo pyetje nuk ka nevojë për përgjigje. Po, Saliu, nuk e kupton dot këtë? Po, as Partia Demokratike nuk e kupton dot këtë? Megjithatë, e tërë kjo çështje e trajtuar juridikisht kështu, është në dorë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, për Saliun, dhe të Gjykatës Kushtetuese për Metën. Të shohim vendimet e tyre, por, a do ta zbatojë KQZ-ja ligjin me vendim për mosdhënien e mandatit të deputetit Sali Berishës? Le të presim…” – mbyll reagimin avokati.