Vendosni fjalën kyçe....

Protestë në Kosovë kundër Gjykatës Speciale: Mos i mbroni krimet e kryera nga Serbia


Disa qytetarë kanë zhvilluar një protestë në Prishtinë para konferencës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova. Para vendit ku do të mbahet konferenca, ata kanë dalë me parulla kundër Gjykatës Speciale.

Letrat që ata mbanin kishin pesë pika. E para theksonte se s’ka krime njëetnike dhe s’mund të ketë gjykatë për gjykimin e vetëm një etnie.

Në pikën e dytë është kërkuar të zbulohen të gjitha krimet dhe të mos mbrohen krimet e kryera nga Serbia.

Bashkëpunimi me institucionet e Kosovës dhe jo vetëm të Serbisë, është pika e tretë, ndërsa në të katërtën ata kanë thënë se ndjekja selektive e krimeve s’është drejtësi për viktimat.

“Turp, turp, turp të mbrohet gjenocidi i kryer nga Serbia”, thuhet në pikën e pestë.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova dhe administratorja Fidelma Donlon sot do të qëndrojnë për vizitë në Prishtinë, ku do të flasin për mandatin, punën dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), shkruan Koha.