Në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, sipas listave të prezantuara deri më tani nga partitë politike, vetëm 8 për qind e kandidatëve janë gra.
Partitë duhet të finalizojnë listat për zgjedhjet lokale të tetorit deri më 11 shtator, shkruan REL. Nga partia në pushtet, Lidhja Social Demokrate, deri më tani, nga 65 kandidatët e prezantuar, vetëm pesë janë gra.
Ndërkaq, partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE ka bërë të ditur vetëm gjysmën e emrave të kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit dhe nga 40 emrat e prezantuar, tri janë gra.
Te partitë shqiptare, përqindja e grave që do të garojnë është më e ulët, ku Partia Demokratike Shqiptare ka njoftuar se do të garojë me një grua kandidate për Komunën e Gostivarit, ndërkaq Bashkimi Demokratik për Integrim do t’ia besojë garën për Tetovën një gruaje.