Vendosni fjalën kyçe....

Soreca: Shqipëria ka sot institucione drejtësie krejt të pavarura, do sjellim edhe 9 milionë euro të tjera për këtë


Ambasadori i BE-së në Tiranë tha se Brukseli e sheh si shumë të rëndësishme reformën në drejtësi në Shqipëri e për këtë arsye do investojë edhe 9 milionë euro të tjera nga 50 që janë investuar deri më sot.

Sipas Soreca-s, sot Shqipëria ka institucione drejtësie të pavarura ndërsa theksoi se pret më shumë bashkëpunim mes Ramës e Bashës për çuarjen përpara të saj dhe të reformave të tjera.

“Pesë vjet të reformës kanë treguar kompleksitetin e saj, të demonstruar jo më pak nga vetingu dhe pasojat e tij të gjera. Zbatimi nuk ka qenë as i lehtë, as i përsosur. Por, ndonëse ka mësime për të nxjerrë, domosdoshmëria dhe legjitimiteti absolut i kësaj reforme gjyqësore është konfirmuar vazhdimisht edhe nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ne kemi sot institucione plotësisht të pavarura të drejtësisë – domethënë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, Inspektoratin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK-un, që japin rezultate çdo ditë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë po japin gjithashtu vendime të rëndësishme.  Reforma në Drejtësi është dhe do të mbetet një nga përparësitë kryesore për BE-në në Shqipëri. Investimi i BE-së në sektor flet më shumë se fjalët në këtë drejtim: 50 milionë euro janë investuar deri tani dhe 9 milionë euro të tjera pritet të vijnë.” – tha Soreca.