Reagon ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, pas publikimit të indeksit të biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë.
“Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis sundimit të ligjit dhe biznesit. Rregullat e qarta (përfshirë zgjidhjen përfundimtare të të drejtave të pronësisë), gjykatat e pastra dhe ndjekja e vazhdueshme e korrupsionit do të tërheqin më shumë investime amerikane dhe do t’u japin më shumë shqiptarëve një qasje të drejtë drejt prosperitetit.”, shkruan Kimi në “Twitter”.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri publikoi sot Indeksin e Biznesit, i njohur për perceptimin e klimës së Biznesit (2020-2021).
71 % e anëtarësisë së AmCham morën pjesë në anketim, pjesëmarrja më e lartë në 9 vitet e publikimit të Indeksit duke reflektuar rëndësinë që anetarët i japin klimës së biznesit dhe realizimit të reformave në mbështetje të përmirësimit të saj.
Indeksi mat elementë të rëndësishme që ndikojnë klimën e biznesit, si politikat qeveritare, nivelin e taksave, korrupsionin, informalitetin, zbatimin e ligjit dhe elementë që lidhen me ecurinë e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare.
Anketimi i kompanive anëtare i mundëson AmCham-it të identifikojë dhe të masë sfidat, me të cilat përballet komuniteti i biznesit dhe të punojë me administratën publike dhe aktorët e tjerë për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.
Rezultati i Indeksit shoqërohet me shtojcën e komenteve dhe sugjerimeve të bëra nga përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në anketim, publikuar në aneksin përmbyllës të raportit.