Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Uran Ismaili, nuk ka marrë leje në komunë për ndërhyrjet që po kryen nëpër hapësira publike.
Në foto Erion Veliaj me Uran Ismailin duke lyer me bojë mjedise publike
Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike në komunë, për KALLXO.com ka thënë se nuk kanë marr asnjë kërkesë për leje që të bëhen ndërhyrje.“Nuk kemi marrë asnjë kërkesë”, është përgjigjur shkurt Braha.
Uran Ismaili më 30 qershor ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së dhe që prej atëherë ka kryer shumë ndërhyrje në hapësira publike nëpër lagje të ndryshme të qytetit.
Ismaili përpos artit në hapësira publike, ka bërë edhe rregullime të këndeve të lodrave dhe mbjellje të drujve.
Një ndërhyrje e tillë duhet të kryhet nga Drejtoria e Parqeve në komunë, të cilët njëkohësisht edhe vlerësojnë qëndrueshmërinë e këtyre këndeve.Kallxo.com ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga PDK-ja dhe Uran Ismaili për këto ndërhyrje, por nuk është dhënë ndonjë detaj nga ana e tyre deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Zgjedhjet komunale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor. Kandidatët që pritet të jenë në garë kundër njëri-tjetrit për Prishtinën janë: Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Alenanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Selim Pacolli nga Aleanca Kosova e Re.
Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Kallxo.com”. Titulli redaksional. Origjinali: “Kandidati për kryetar nuk merr leje nga Komuna për ndërhyrjet në hapësirat publike”