Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, OIta Xhaçka në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se qëndrimi i afganëve në Shqipëri mund të zgjasë më shumë se një vit.
Xhaçka sqaroi se procesimi për të marrë vizën për shkuar në SHBA kërkon kohë dhe prandaj procedurat mund të shkojnë më shumë se 12 muaj.
“Është një proces që mund të kërkojë deri në 12 muaj, por ndoshta edhe më shumë. Ç’ka do të thotë që mes strehimit edhe procesimit të dokumenteve të tyre do të ketë një kohë të konsiderueshme, duke patur parasysh që ata qytetarë afganë që ne kemi strehuar sot në Shqipëri janë shumë pak krahasuar me më shumë se 120 mijë të evakuuar nga Shtetet e Bashkuara në vende të tjera, në baza ushtarake të cilat po procesojnë njëkohësisht për të marrë viza drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do të thotë që është le të themi një ushtrim konsullor i përmasave të jashtëzakonshme që do të marrë kohën e vet. Ndaj kam përshtypjen që 12 muaj do të jenë minimumi i këtij procesi, për të mos thënë që do të zgjasë edhe më shumë se aq”-tha Xhaçka.